Lajme

“Koeficienti sekret” i Albin Kurtit

01/22/2023 10:02
nga:Gazeta Blic

Kur kanë mbetur vetëm edhe një javë deri tek dalja e pagave në sektorin publik, bazuar në Ligjin e ri të Pagave, askush ende nuk e di se sa do të jetë vlera e koeficientit, raporton Gazeta Blic.

Tash e sa javë, i madh e i vogël ka pyetur se sa është vlera e koeficientit, por Qeveria e drejtuar nga Kurti ka vendosur ta mbajë sekret.

Derisa në opinion kanë qarkulluar versione të ndryshme, zyrtarisht nga Qeveria e Kosovës kanë theksuar se shumë shpejt do të publikohet vlera e koeficentit.

Gazetës Blic madje disa burime i kanë thënë se deri tani janë dy propozime që po diskutohen. Njëri propozim është që mësimdhënësve, mjekëve, zjarrfikësve dhe disa kategorive t’u jepet vlerë e korficientit më e lartë, derisa propozimi i dytë është që vlera e koeficientit për qeveritarët, ministrat dhe prokurorët e gjyqtarët të jetë më i ulët.

Megjithatë, deri tani nuk ka asgjë zyrtare e as të konfirmuar, shkruan Gazeta Blic.

Sindikatat kanë kërkuar që vlera e koeficientit të mos jetë nën 120 euro.

Ndërkohë, opozita ka paralajmëruar se do ta dërgoj në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Paga nëse vlera e koeficentit është nën 130 euro.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka theksuar se nëse vlera e koeficientit është nën 130 euro, atëherë ata rastin e dërgojnë në Kushtetuese.

Lekaj ka thënë se AAK pret që vlera e koeficientit të jetë 130 euro, pasi nën këtë vlerë s’do të ketë rritje të pagave.

“Ne si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës e kemi bërë të qartë që vlera e koeficientit së paku të jetë 130 euro, dhe nëse nuk vjen deri te kjo shumë, atëherë ne mund ta dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese. Ne kërkojmë që mos të jetë më pak se 130 euro vlera e koeficientit, sepse nuk do të ndikojë dhe nuk do të kemi rritje të pagave siç kanë kërkuar edhe Sindikatat por edhe shërbyesit civil”.

AAK ‘kërcënon’ Qeverinë për vlerën e koeficientit