Sporti

“Klopp foli në kohën e gabuar”, Rooney: Lojtarët u dorëzuan pas deklaratës së trajnerit!

04/25/2024 23:57
nga:Mergim Rreci

Në javët e fundit mund të thuhet pa frikë se Liverpool e “hodhi sezonin në erë”. Të kuqtë zbritën nga kreu i Premier League dhe tashmë e shohin veten të fundit sa i takon mundësive për të fituar Premier League me Arsenalin dhe Manchester Cityn që përfituan nga gabimet e të besuarve të trajnerit Jurgen Klopp.

Nga ana tjetër, Liverpool humbi po ashtu shansin për të triumfuar në Europa League teksa u eliminua nga Atalanta. Të gjitha këto rezultate negative sipas Wayne Rooney, kanë ardhur si pasojë e kohës së gabuar që trajneri Jurgen Klopp zgjodhi për të njoftuar lamtumirën në fundin e sezonit. Rroney, thekson se lojtarët humbën fokusin dhe u dorëzuan pasi mësuan se trajneri i tyre do të largohej.

“Lojtarët morën një sinjal nga deklarata e Klopp dhe humbën fokusin. Ndoshta, nisën të flisnin me klube të tjera për një transferim të mundshëm, këto janë gjëra që ndodhin. Sipas mendimit tim, ai duhet të kishte folur për këtë vetëm me klubin, por nëse dikush do ta kishte marrë vesh do të kishte dalë dhe kështu ai duhej ta njoftonte. Nuk po them që fajin e ka Klopp. Unë thjesht po pyes veten për kohën e deklaratës. Besoj se kjo pati një ndikim të fortë te disa lojtarë në skuadër”, u shpreh Rooney.