Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitaly Klitschko, u bëri thirrje bashkëqytetarëve të tij që të kalojnë sa më shumë kohë në bunkerë.
Ai i bëri thirrje pjesës tjetër të botës, për të cilën tha se nuk ka bërë sa duhet deri me tani, që të ndihmojë Ukrainën.
“Njerëzit në Kiev janë të zemëruar, nuk duan luftë, por as nuk duan të largohen nga qyteti”, tha Klitschko për Sky News.
“Njerëzit duan të mbrojnë qytetin tonë. Ata janë vërtet të mërzitur nga sulmet e ushtarëve rusë ndaj civilëve,” tha ai.
Ai i bëri thirrje pjesës tjetër të botës që të dërgojë armë në Ukrainë.
“Situata është nën kontroll dhe ne jemi gati për të luftuar. Nuk është kritike. Qëllimi i rusëve është Kievi,” tha ai i pyetur për shtetrrethimin 35-orësh që ka hyrë në fuqi që nga dita e martë.
Klitschko shtoi se plani rus nuk është i fshehtë.
“Ata besonin se thjeshë do të bënin një rreth dhe se do të ishin në Kiev tre javë më parë, por ushtarët tanë shkatërruan të gjitha planet e tyre dhe po mbrojnë qytetin”, tha ai.
“Rusët nuk po u kushtojnë vëmendje civilëve,” tha Klitschko, duke akuzuar Rusinë për krime lufte në Ukrainë.


