Sporti

Ministrja franceze e sportit reagon ashpër: Gjesti i Djokovic ishte i pavend dhe politik, nuk guxon ta përsërisë atë

05/31/2023 11:14
nga:Mergim Rreci

Ministrja franceze e Sportit, Amelie Oudea-Castera thotë se mesazhi politik i Novak Djokovic për Kosovën ishte “i pavend” dhe e ka paralajmëruar atë se nuk duhet ta përsërisë atë.

Duke folur në stacionin televiziv France 2, Oudea-Castera tha se drejtoresha e French Open, Amelie Mauresmo foli me Djokovic dhe shoqëruesit e tij për të insistuar në parimin e “neutralitetit” në fushën e lojës, transmeton GazetaBlic Sport.

“Kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe bashkimin e njerëzve rreth vlerave universale, një sportist është i lirë ta bëjë këtë,” tha ajo. Por Oudea-Castera shtoi se mesazhi i Djokovic ishte “militant, shumë politik” dhe “nuk duhet të përsëritet”.

Pas fitores në turneun e parë të French Open në Paris të hënën, Djokovic shkroi në serbisht në objektivin e një kamere televizive: “Kosova është zemra e Serbisë. Ndaloni dhunën.”

Federata e Tenisit e Kosovës tha të martën se komentet e Djokovic ishin “të mjerueshme” sepse ai po nxiste tensionet midis Serbisë dhe Kosovës.

/GazetaBlic Sport/