Lajme

“Kryetarët e Komunave shpallën luftë kundër shtetit”, Ibrahimi-Kurtit: Deklaratë që nuk qëndron, ata sakrifikuan familjet e tyre për Kosovën

09/03/2022 13:33
nga:Genita C

“Kryetarët e komunave për mos daljen e listës së grevistëve, është shpallje e luftës kundër shtetit”, tha sot kryeministri Kurti në një konferencë për medie, raporton GazetaBlic.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar, drejtor i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi i cili thotë me plot bindje se një deklaratë e tillë asesi nuk qëndron.

Ibrahimi tha për GazetaBlic se, Kurti është duke e acaruar situatën në Kosovë edhe pse duhej të ndodhte e kundërta.

“Kjo është njëri nga shqetësimet kryesore të kryetarëve të komunave në këshillin e kryetarëve, sepse niveli qendror është duke e vazhduar avansin e vjetër dhe është duke e acaruar situatën. Në vend që ta qetësoj situatën është duke e acaruar”, tha Sazani.

Ibrahimi thotë se kryetarët e komunave të Kosovës, kanë sakrifikuar edhe jetën e familjen e tyre dhe një deklaratë e tillë sipas tij është e pakuptimtë.

“Kryeministri Kurti këtë deklaratë e ka të pavend sepse kemi kryetar të komunave të cilët kanë luftuar për ta ndërtuar këtë shtet, kemi kryetar të komunave që kanë sakrifikuar familjen e tyre, kanë qenë në burgjet e Serbisë me dekada e kemi edhe kryetar të komunave që kanë qenë komandant të shquar”, tha Sazani.

Ibrahimi përmendi rolin e të gjithë kryetarëve, e veçanarisht të Ramiz Lladrovcit ku thotë se sakrifikoi familjen e tij, për ndërtimin e Kosovës.

“Kështu, duke nisur nga kryetari i Vitisë i cili ka qenë në burgjet e Serbisë për çështjet kombëtare, kemi kryetarin e Hanit të Elezit, kryetarin e Kaçanikut, Ferizajit, kemi kryetarin e Lipjanit i cili ka qenë me vite i angazhuar për shtetndërtimin e Kosovës. Është kryetari Ramiz Lladrovci që ka sakfrikuar edhe familjen për ta ndërtuar këtë shtet. Kryetari i Obiliqit i cili ka kontribuar për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar. Kemi kryetar e kryetar të cilët kanë dhënë gjakun e tyre dhe kanë sakfrikuar gjithçka që ta kemi një shtet dhe kjo deklaratë e Kurtit se “kryetarët e komunave për mos daljen e listës së grevistëve, është shpallje e luftës kundër shtetit” nuk mund të qëndroj asesi. Duhet ta dijë kryeministri që kryetarëte komunave kanë sakrifikuar shumë më shumë se sa, që sot është duke sakrifikuar dikush”, tha Ibrahimi për GazetaBlic