Lajme

Kina vaksinon 1 miliard persona kundër COVID-19

06/20/2021 13:07
nga:Q R

Më shumë se 600 milionë qytetarë të Kinës kanë marrë të paktën njërën nga doza kundër koronavirusit, ndërsa vendi tani ka arritur edhe pragun e 1 miliard vaksinimeve gjithsej, si asnjë shtet në botë. Plani është që 40 për qind e 1,4 miliard banorëve të vaksinohen plotësisht para korrikut, dhe 70 për qind, brenda vitit.

Kina ka arritur një rekord vaksinimesh kundër Covidit-19, duke kryer mbi 1 miliard doza e duke u renditur para çdo shteti tjetër.

Rekordi u regjistrua të dielën, më pak se një muaj pasi vendi administroi 500 milionë doza.

Programi kombëtar i vaksinimit po ecën intensivisht, thonë autoritetet, me 10-20 milionë vaksinime të kryera në baza ditore.

Kina e nisi fushatën e imunizimit dhjetorin e kaluar dhe gjatë kësaj kohe ka përdorur dy vaksina kryesore: prodhimet e kompanisë farmaceutike “Sinopharm” që është pjesërisht shtetërore, dhe të firmës “Sinovac”.

Të dyja vaksinat janë licensuar edhe nga OBSH-ja, por në testet e deritanishme efikasiteti i tyre ka qenë nën mesataren e alternativave, si “Pfizer/BioNTech” apo “AstraZeneca”.

1 miliard dozat e kryera në Kinë përbëjnë rreth 40 për qind të totalit të të vaksinuarve në gjithë botën, megjithëse Pekini ende nuk ka treguar se kur mund ta arrijë të ashtuquajturin imunitet të tufës prej Covidit-19.

Edhe në fundjavë, vendi raportoi më shumë se 20 raste bartëse të virusit korona, që në Kinë ka vrarë mbi 4,500 veta nga janari i 2020-e.

LEXO EDHE:

Vuçiq falënderon ushtarët dhe policët serbë, thotë se e mbrojtën Kosovën