Lajme

KGJK shpall konkurs për 12 pozita për bashkëpunëtorë profesional

04/23/2024 13:03
nga:Y I

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në takimin e 325-të të mbajtur të martën, ka shpallur konkursin për 12 pozita për bashkëpunëtorë profesional në Gjykatat e Republikës së Kosovës.

Për këtë konkurs, Këshilli ka themeluar edhe Komisionin për Rekrutimin e Bashkëpunëtorëve profesional.

Komisioni do të ketë këtë përbërje të gjykatësve: Leon Përlaska, Edije Sezairi, Donika Shala, Avni Syla, Besnik Pireva dhe rezervë Blerim Istrefi dhe Mirlinda Bytyqi.

Ndryshe, pas prezantimit të shkurtër lidhur me përmbajtjen e Rregullores nga anëtarja Drita Rexha, anëtarët e Këshillit kanë miratuar Rregulloren për Procedurën e Rekrutimit, Pranimit, Emërimit dhe Punës Provuese për të Punësuarit në Administratën e Sistemit Gjyqësor.

Me miratimin e kësaj rregullore, është autorizuar Sekretariati i KGjK-së për shpalljen e konkursit të brendshëm dhe të jashtëm në administratën gjyqësore lidhur me pozitat e lira.

Po ashtu, gjatë këtij takimi KGJK ka miratuar vazhdimin e zgjatjes së kontratave për konsulentët ligjor në gjykata për evidencë penale. Kjo kërkesë ka ardhur nga Departamenti për Evidencë Penale në KGJK me qëllim zhvillimin e punës në evidencat penale.

Tutje, KGJK ka miratuar edhe vazhdimin e kompensimit të zyrtarëve të angazhuar nga projekti UNDP për periudhën maj, qershor dhe korrik 2024. Gjatë këtij takimi, KGJK ka aprovuar edhe kërkesat për transferimin e bashkëpunëtoreve profesional.

Anëtarët e Këshillit e autorizuar Kryesuesin e KGJK-së, Albert Zogaj për nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit në mes KGJK-së dhe RadioTelevisionit të Kosovës (RTK).

Lidhur me këtë memorandum, kryesuesi Zogaj tha se do të prezantohet puna e gjyqësorit me tema të caktuara përmes paraqitjeve mediale në RTK.

KGJK ka shpallur edhe konkursin për anëtarë të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve. Me këtë rast, KGJK ka themeluar edhe Komisionin për shqyrtimin e dokumentacionit të kandidatëve për anëtarë të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve në përbërje të anëtarëve Teuta Ibrahimi, Qerim Ademaj dhe Fahret Velija.

Takimi ka vazhduar me pika të tjera të rendit të ditës./Betimi për Drejtësi/