Lajme

Këta janë kandidatët që synojnë kreun e Gjykatës Supreme

01/24/2023 11:43
nga:N M

Mejreme Memaj dhe Fejzullah Rexhepi janë dy gjyqtarët që i kanë hyrë garës për pozitën e kryetarit të Gjykatës Supreme, sipas konkursit të shpallur nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës më 27 dhjetor 2022.

Aktualisht pozitën e të parës në Gjykatën Supreme e ushtron gjyqtarja Mejreme Memaj, të cilën KGjK e ka caktuar ushtruese detyre, pozitë të cilën do ta mbajë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj gjykate.

Deri tek zgjedhja e gjyqtares Memaj në këtë pozitë, ka ardhur pas dorëheqjes së ish-kryetarit të Gjykatës Supreme, gjyqtarit Enver Peci.

“Betimi për Drejtësi”, ka kontaktuar dy kandidatët për t’i pyetur se cilat janë objektivat që synojnë t’i realizojnë nëse zgjedhën për të udhëhequr me Gjykatën Supreme.

Lidhur me këtë, kandidati Rexhepi ka thënë se ka paraqitur koncept dokumentin në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), dhe se tani për tani nuk ka diçka për të deklaruar.

Kurse, kandidatja, Mejreme Memaj ka qenë e pa qasshme.

Nga KGJK kanë thënë se ende nuk është bërë vlerësimi i kandidatëve nga Komisioni për të parë nëse të njëjtit i plotësojnë kriteret.

Më poshtë gjeni të bashkangjitur biografitë e secilit prej gjashtë kandidatëve për kryetar të Gjykatës Supreme, të publikuara në ueb faqen zyrtare të kësaj gjykate.

Kandidatja e parë, Mejreme Memaj në vitin 2010, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Nga 1 janari i viti 2013 ishte gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Kosovës deri në vitin 2019, kur u zgjedh gjyqtare e Gjykatës Supreme. Me 14 dhjetor 2022 është caktuar U.D. kryetare e Gjykatës, pas dorëheqjes nga kjo pozitë e kryetarit Enver Peci.

Kandidati i dytë, Fejzullah Rexhepi në vitin 2010 u emërua gjyqtar në Gjykatën Komunale në Ferizaj, detyrë të cilën e mbajti deri në fund të 2012-ës. Prej 1 janarit të vitit 2013 deri me 01.09.2015, ishte gjyqtar në Departamentin e Krimeve të Rënda në Ferizaj. Ndërsa, me 01.09.2015 është zgjedhur gjyqtar në Gjykatën e Apelit, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Civil. Në shtator 2020 është zgjedhur gjyqtar në Gjykatën Supreme.

Ndryshe, KGJK me vendimin e 27 dhjetorit 2022 ka themeluar edhe Komisionin Vlerësues i cili do të bëjë intervistimin, vlerësimin, si dhe rekomandimin e kandidatëve për Kryetar të Gjykatës Supreme, me këtë përbërje: Qerim Ademaj, zëvendës kryesues i KGJK-se, Vilard Bytyqi, anëtar i KGJK-së; Arjeta Sadiku, anëtare e KGJK-së, si dhe Fahret Vellija, anëtar i KGJK-së/anëtar rezervë në komision./BetimipërDrejtësi

Kërkohet ekzaminim psikiatrik ndaj Dardan Krivaqës