Lajme

Këta janë faktorët kyç për tërheqjen e investimeve, problem edhe dialogu me Serbinë

05/01/2022 09:56
nga:G B

Niveli i lartë i krimit e korrupsionit në vend po i frikëson investitorët potencial që kapitalin e tyre ta sjellin në Kosovës.

Prandaj vetëm duke treguar rezultatet në këtë drejtim mund të binden investitorët e huaj për investime, i tha Ekonomia Online, ish-drejtoi i Doganës Naim Huruglica.

Edhe pse thotë se Qeveria është duke krijuar kushte për tërheqjen e investimeve të huaja, pohon se duhet punuar në reforma të politikave e të administratës publike në mënyrë që Kosova të bëhet vend i përshtatshëm për investime.

“Një ndër faktorët kryesor për me ardh një investitor i huaj në një vend është luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe ambientit të sigurt që ata investitor mundem me gjet veten pa pas probleme. Mendoj që Qeveria ka dhënë shenja që është duke e bërë këtë punë dhe faktikisht Kosova tash e ka një imazh më të mirë në skenën ndërkombëtare se sa e ka pas në të kaluarën. Përpara gjithmonë imazhet televizive ndërkombëtare e kanë qit Kosovën si një vend ku është pos konfliktuoz, por ka krim, korrupsion e nuk ka ambient të mirë për investime”.

“…kjo Qeveri së paku deri sot ka dëshmuar që imazhi është duke u përmirësuar, por normal për të krijuar kushte për investime ajo është vetëm faza e parë, domethënë imazhi është si letërnjoftim sa për me ardh me hy. Duhet me vazhduar me punuar në reforma të politikave, reforma të administratës publike me qëllim që kompanitë e huaja po edhe investitorët vendor me gjet Kosovën si vend të përshtatshëm për investime”.

Huruglica më tej shtoi se investimet po i pengon edhe dialogu pa epilog me Serbinë dhe mosnjohja nga pesë vendet e Bashkimit Evropian (BE).

“Kjo nuk është e mjaftueshme përderisa ta kemi të hapur problemin me Serbinë. Mosnjohja prej Serbisë edhe prej 5 vendeve të Bashkimit Evropian akoma po i bënë hezitues kompanitë e huaja me ardh dhe me investuar në Kosovë sepse ata po duan me pa a ka me qenë e ardhmja e Kosovës e sigurt në kuptimin si shtet i formuar në tërësi. Realisht ka akoma shumë vend për me përmirësuar procedurat, po nuk kam pa negacion, përmirësim është më mirë se sa ka qenë ta zëmë para dy viteve”.

Tutje Huruglica thotë se në Kosovë normat tatimore janë më të ulëtat në Evropë, gjë që mund të nxisë investimet, por vlerëson se non-stop janë të nevojshme format të cilat shkojnë në përmirësimi të ambientit të të bërit biznes.

“Kosova i ka normat më të ulëta tatimore në regjion, edhe te TVSh-ja edhe tatimi në fitim, tatimi në korporatë Kosova është i vetmi vend në Evropë i cili nuk merr tatim mbi dividendë. Dividenda është fitimi i aksionarëve. Sa i përket normave i kemi më të ulëtat, kemi marrëveshje të tregtisë të lirë me vendet e Bashkimit Evropian, me vendet e CEFTA-s që i mundëson eksport pa detyrime”.

“Kosova  ka qenë diku e renditur tek vendi i 40, 45  prej Bankës Botërore për të bërë biznes që është shumë mirë, është bukur lartë, por prapë nuk mjafton. Duhet non-stop me bë reforma të cilat shkojnë në përmirësimi të ambientit”.

Edhe Musa Limani, ish dekan i Fakultetit Ekonomik për Ekonomia Online thotë se investitorëve duhet t’u ofrohet infrastrukturë, të luftohet ekonomia informale, korrupsioni e familjarizimi.

Por sipas tij, asnjë Qeveri më parë e as Qeveria aktuale nuk po krijon kushte për tërheqjen e investimeve të huaja veçmas të diasporës.

“Normalisht që po mos stabiliteti politik, stabiliteti ekonomik ka një ndikim të veçantë në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe veçmas të diasporës shqiptare. Këtu ne kemi një mangësi si shtet për arsye se as qeveritë e më parëshme dhe unë nuk po e shoh tani edhe Qeverinë aktuale që krijon para kushte dhe kushte për tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe veçmas të diasporës”.

“Qeveria duhet të krijoj kushte, një prej atyre duhet të jetë e që garanton kapitalin e tyre, mandej do t’i liroj nga ngarkesat e politikave fiskale, duke filluar nga TVSh, doganat ose tatimi në pagë. T’i ofrojë infrastrukturë, mandej ta luftojnë ekonominë informale, korrupsionin, familjarizimin etj”.