Lajme

Këshilltari i Zelenskyt: Duhet të shkatërrohet ura e Krimesë

08/17/2022 22:45
nga:Astrit Gashi

Këshilltari kryesor i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky përsëriti se duhet të shkatërrohet ura e Krimesë.

Duke shkruar në rrjetet sociale, Mykhailo Podoliak tha se Ukraina nuk ka dhënë kurrë leje për ndërtimin e urës dhe se ajo është një “objekt i paligjshëm”.

“Ai dëmton ekologjinë e gadishullit dhe për këtë arsye duhet të çmontohet. Nuk ka rëndësi se si – vullnetarisht apo jo”, tha ai.

Theksojmë se ai gjatë ditëve të kaluara ka dhënë një intervistë për gazetën britanike, theguardian, ku ka treguar edhe strategjinë e forcave ukrainase.

“Strategjia jonë është të shkatërrojmë logjistikën, linjat e furnizimit dhe depot e municioneve dhe objekte të tjera të infrastrukturës ushtarake. Kjo krijon kaos brenda forcave të tyre”, tha ai.

Podoliak, i cili kishte qenë një negociator i bisedimeve të paqes në fazat e hershme të konfliktit, tha se nuk kishte asnjë perspektivë që Rusia të negocionte seriozisht derisa të kishte pësuar një disfatë në fushën e betejës.

Ai tha se disa vende evropiane të paidentifikuara ishin “nën iluzionin” se Kremlini mund të kërkojë bisedime me mirëbesim.