Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka dorëzuar sot aplikimin e Kosovës për në Këshillin e Evropës.
E kjo është konfirmuar edhe nga Këshilli i Evropës.
Në një përgjigje të dhënë për media është theksuar se tashmë aplikacioni për anëtarësim është pranuar dhe përcjellur në Komitetin e Ministrave.
“Ne mund të konfirmojmë se aplikimi për anëtarësim është pranuar dhe po i transmetohet Komitetit të Ministrave në përputhje me statutin e Këshillit të Evropës”, është thënë në përgjigjen e Këshillit të Evropës.
Ndryshe pas mbledhjes së sotme të Qeverisë së Kosovës në të cilën është miratuar nisma për anëtarësim, kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla ka dorëzuar personalisht aplikimin në Këshillin e Evropës, në Strasburg të Francës.
E pas kësaj, ministrja Gërvalla deklaroi se sot nis një kapitull i ri i Kosovës.
“Sapo dolëm nga takimi me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës. Në emër të Republikës së Kosovës dorëzuam kërkesën për anëtarësim në Këshill të Evropës.Sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshillin e Evropës, sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, të Asamblesë Parlamentare dhe Këshillit Ministrorë”.
Përpos kësaj, ministrja Gërvalla është shprehur optimiste për anëtarësimin e Kosovës në KE.
Ajo theksoi se kjo nismë e sotme do të përfundojë me anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, pasi Kosova e meriton të jetë pjesë e kësaj organizate.


