Lajme

Kërkesa e Osmanit për heqjen e masave/ Berisha: Qasja e Presidentes, komplekse dhe kontradiktore

07/02/2024 18:51
nga:N K

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një takimi me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se heqja e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, do ta kishte bërë të “barabartë tryezën e dialogut” në Bruksel.

Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, i cili e quajti qasjen e presidentes Osmani si komplekse dhe kontradiktore.

“Kjo qasje e ndarë është sa komplekse, aq dhe kontradiktore. Si e tillë mund të dëmtojë koherencën dhe qëndrueshmërinë e pozicionit të Kosovës në procesin e dialogut, duke krijuar konfuzion dhe mundësi për keqpërdorim nga pala serbe dhe ndërmjetësit ndërkombëtarë”, deklaroi ai.

Sipas Berishës, ai thotë se për një dialog të suksesshëm sipas tij duhet një qëndrim i përbashkët nga të gjithë përfaqësuesit e Kosovës.

“Për një proces të suksesshëm dhe efikas të dialogut, është e rëndësishme që të ketë një qëndrim të përbashkët dhe të qartë nga të gjithë përfaqësuesit e Kosovës”, tha ai.

Po ashtu, ai konsideron se tri kushtet e vëna për takim trepalësh, janë për konsum të brendshëm politik.

“Tri kushtet e vëna gjoja për takim trepalësh, i konsideroj thjesht për konsum të brendshëm politik dhe efekt elektoral. Këtë pretekst për kauzë fiktive po ia ushqejnë edhe “skenaristët e 24 shtatorit”, me logjikën që do e sqarojë me një histori lufte: (Komandanti e pyet snajperistin e njësisë së vet, rreth snajperistit të armikut? Snajperisti i përgjigjet se snajperisti i armikut është i dobët, se nuk ka arritur deri më tani të eliminojë asnjë nga tanët. Atëherë pse nuk po e eliminon ti? Sepse armiku mund të sjellë një më profesional). Pra, e tërë kjo lojë e kushtëzimeve për takim (të cilat kanë ndodhur edhe pas mos gjetjes së të zhdukurve, edhe pas 24 shtatorit), është që t’ia ushqejnë kauzën e patriotizmit mashtrues për votë, që ta sjellin në pushtet sërish Kurtin & Co, pas zgjedhjeve të ardhshme, që të implementojnë zotimet e marra tashmë që nga viti 2019, të kodifikuara tanimë në marrëveshje”, theksoi Berisha.

Deputeti thotë se Kurti është në funksion të Vuçiqit për të arritur qëllimet e Serbisë në Kosovë dhe se sipas tij marrëveshjet e pranuara nga kryeministri janë kthyer në detyrime ndërkombëtare për Kosovën.

“Albin Kurti është në funksion të Vuçiqit për të arritur qëllimet e Serbisë në Kosovë. Qëllimi i Serbisë është që ta realizojë në plotni marrëveshjen e Brukselit alias Planin franko-gjerman dhe Aneksin e Ohrit dhe kështu të bëjë që Serbia të ndajë pushtetin politik me Kosovën në një pjesë të territorit të saj. Marrëveshjet e pranuara të Albin Kurtit janë kthyer tashmë në detyrime ndërkombëtare për Kosovën”, përfundoi deputeti i PDK-së Hisen Berisha.

/GazetaBlic/