Lajme

Kearns thotë se deklaratat tendencioze të Vuçiqit nuk duhet të injorohen

05/02/2024 16:50
nga:Y I

Deputetja britanike, Alicia Kearns, të enjten në Dhomën e Ulët të Parlamentit britanik, ka folur veçanërisht për sigurinë në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Kearns ka deklaruar se duhet konsideruar një aleancë e re sigurie mes SHBA-së, Britanisë e shteteve të NATO-s me Kosovën, për të shuar shqetësimet për sigurinë.

Ajo ka thënë se Britania duhet ta ketë një rol më aktiv në bisedime.

“Një shembull pse na duhet kjo. Vitin e kaluar presidenti Vuçiq deklaroi se duhet pritur momenti për marrjen e Kosovës. Kjo është deklaratë tendencioze, që nuk duhet të injorohet”, ka theksuar Kearns duke shtuar se ajo që mund të bëjë Britania tani është të votojë pro anëtarësimit në KiE dhe ta rrisë përkushtimin për siguri përmes KFOR-it.

Po ashtu, sipas Kearnsit, lidhja e anëtarësimit në Këshillin e Evropës me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë çështje diskutimit

“Disa ndërkombëtarë kanë thënë se Kosova duhet të pranohet në KiE vetëm nëse krijon Asociacionin. Britania e Madhe duhet ta kundërshtojë këtë. Derisa unë nuk dua një tjetër Republikë Serbe në Ballkanin Perëndimor, një Asociacion do të themelohet si pjesë e dialogut Prishtinë-Beograd. Por nuk duhet të nxitohet dhe nuk mund të vihet nën presion të jashtëm. Kështu që Britania do të votojë pro anëtarësimit të Kosovës pavarësisht progresit drejt Asociacionit dhe i inkurajon të gjithë aleatët ta bëjnë këtë”, është shprehur ajo.