Sporti

Kastriot Rexha për Ballkanin: Është e vetmja skuadër shqiptare që e mban posedimin edhe me skuadra të mëdha, do arrijnë lartë në Europë

07/17/2023 13:15
nga:L J

Kastriot Rexha, ish sulmuesi i njohur kosovar, tashmë trajner futbolli beson se Ballkani ka shanse të mira të kalojë raundin e parë kualifikues të Champions League.

Ballkani fitoi ndeshjen e parë të këtij raundi ndaj Ludogorets në Prishtinë në stadiumin “Fadil Vokrri” me rezultatin 2-0, me golat e Korenicës dhe Zybës, teksa pasnesër nga ora 20:00 do luhet ndeshja kthyese në Razgrad të Bullgarisë.

Rexha beson se Ballkani është skuadër e kompletuar, por takimin e konsideron të vështirë – pavarësisht se i jep shansa reale ekipit kampion të Kosovës.

“Ballkani ka avantazhin nga ndeshja e parë, qe në një formë i jep mundësinë që të luajë një ndeshje taktike me kundersulme dhe jam i bindun se kjo do të jetë paraqitja e tyre në ndeshjen e nesërme. Do ta ketë shumë vështirë kalimin – është evidente kjo. Megjithatë, Ballkani është një ndër skuadrat e vetme shqiptare që edhe me skuadra të nivelit shumë më të lartë arrin ta posedoj topin. Mendoj se për ta është një mundësi shumë e mirë edhe nuk është qe e shoh të pakalushëm Ludogoretsin”, tha fillimisht Rexha për ‘GazetaBlic Sport’.

Në fund, Kastriot Rexha parashikoi se Ballkani do të arrijë lartë në garat evropiane edhe sivjet.

“Çfarëdo që të ndodhë nga ky takim, unë kam besim se skuadra e Ballkanit edhe në këtë vit do të shkojë lartë në garat europiane”, përfundoi Rexha.

/GazetaBlic Sport