Është arrestuar një burrë pasi dyshohet se ka kanosur një zyrtar të Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Dega në Vushtrri.
Këtë raportohet se e ka bërë gjatë seancës gjyqësore e cila ishte duke u mbajtur ndaj të dyshuarit për një çështje penale të mëhershme, dhe sepse ai ishte larguar nga objekti i gjykatës.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore të Stacionit Policor në Vushtrri si dhe Njësia e Hetimeve Rajonale ndërsa më vonë policia ka arritur që ta arrestojë të dyshuarin I.M., 69 vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës dhe i njëjti është shoqëruar në Stacionin Policor Vushtrri.” thuhet në një njoftim për media të policisë.
Tutje, bëhet e ditur se të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
Ndërsa në lidhje me rastin është kontaktuar prokurori i shtetit, i cili pas përfundimit të veprimeve procedurale ka udhëzuar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti për veprën penale “Kanosje”.