Lajme

Kandidati i parë shqiptar për parlament të Bazelit aderon në AAK, e presin Haradinaj e Gjini

05/16/2026 16:31
nga:Y I

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar rëndësinë e diasporës në zhvillimin e vendit dhe në proceset e vendimmarrjes, duke vlerësuar kontributin e bashkëkombasve jashtë Kosovës si të pazëvendësueshëm.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj bëri të ditur se, së bashku me kandidatin e Aleancës për kryeministër, Ardian Gjini, kanë pritur në takim kandidatët nga diaspora, Tahir Çitaku dhe Nezir Gashi.

Haradinaj tha se Tahir Çitaku është aktivist shumëvjeçar në Basel të Zvicrës dhe kandidati i parë shqiptar për Parlamentin e Bazelit në vitin 2008, me kontribut politik, humanitar dhe sportiv për Kosovën.

Ndërkaq, Nezir Gashi, nga Qupeva e Klinës, kandidon për herë të dytë në listën e Aleancës nga nëndega e Lörrach në Gjermani.

Haradinaj bëri të ditur se Çitakut i është uruar mirëseardhje në Aleancë, si dhe suksese në garën për deputet, bashkë me Nezir Gashin në angazhimin e tyre politik, duke ritheksuar se Aleanca mbetet adresë politike për diasporën dhe hapësirë ku zëri i saj përfaqësohet me dinjitet dhe përgjegjësi.