Sporti

Kalimi i Mujës dhe Dakut tek Shqipëria, Fakaj: Kombëtarja nuk është klub që mund ta ndryshosh

09/07/2023 14:10
nga:Mergim Rreci

Kombëtarja shqiptare e futbollit e vazhdon sot kampanjën kualifikuese të Kampionatit Evropian.

Kuqezinjtë do të përballen sonte me Çekinë në udhëtim me fillim nga ora 20:45, shkruan GazetaBlic Sport.

Nuk pritet të jetë një sfidë aspak e lehtë, por që të drejtuarit e Sylvinhos janë optimistë dhe të motivuar për një rezultat sa më pozitiv.

Ish futbollisti i kombëtares, Ervin Fakaj tha se janë dy ndeshje të vështira, por që fokusi duhet të jetë tek takimi me Poloninë.

Janë dy ndeshje shumë të vështira ndaj rivalëve direkt. Deri tani e kemi bërë detyrën duke fituar ndaj skuadrave jo favorite në grup. Besoj se me cilësitë që kemi, frymën e re që ka sjellë trajneri me mbështetjen e tifozëve tanë, kemi shumë shanse. E rëndësishme është që euforia të mos na dëmtojë, të vlerësojmë siç duhet kundërshtarët dhe të jemi shumë të fokusuar për 180 minuta. Mendoj se ndeshja më e rëndësishme është ndeshja e dytë kundër Polonisë. Nëse marrim 3 pikë atje, atëherë e kemi në dorën tonë pjesëmarrjen në Evropian“, tha fillimisht Fakaj.

Tutje, ai dha edhe një koment për kalimin e Dakut dhe Mujës tek Shqipëria nga përfaqësuesja e Kosovës, duke thënë se kjo duhet të ishte zgjidhur në mes të dy federatave, sepse kalimi i futbollistëve në një formë të tillë nuk është i mirë.

“Kjo është një temë që duhet ta kishin zgjidhur të dy federatat që nga momenti kur Kosova u pranua në FIFA. Mendoj se çdo lojtar në fillim bën një zgjedhje dhe më vonë nuk duhet të ketë më kalime andej – këndej. Kombëtarja nuk është klub ku për një pakënaqësi mund të kalosh në një klub tjetër. Kombëtarja është krenari për ty ndaj popullit dhe vendit dhe duhet të jesh gati në cdo moment. Për sa i perket anës teknike mendoj se Daku dhe Muja kanë rritur cilësinë e Kombëtares Shqiptare. Dy lojtarë që kanë pasur rritje të konsiderueshme në 2-3 vitet e fundit”, përfundoi Fakaj.

/GazetaBlic Sport/