Sporti

Ka formulën e kampionit në ‘Ligën e Parë’, Arsim Thaqi: Suhareka një klub me organizim fantastik, do të vazhdojmë edhe në Superligë

05/10/2024 19:47
nga:Mergim Rreci

FC Suhareka  sot pranoi zyrtarisht titullin e kampionit të fituar për sezonin 2023/24 në Grupin A të Ligës së Parë.

Klubi suharekas regjistroi një sukses historik, duke siguruar promovimin në Superligën e Kosovës vetëm një sezon pas themelimit.

Skuadra e drejtuar nga Arsim Thaqi sot zhvilloi ndeshjen e fundit në shtëpi për këtë sezon, të vlefshme për javën e 26-të në Grupin A të Ligës së Parë, që është edhe xhiro e parafundit e sezonit.

Pikërisht trajneri Thaqi ka komentuar suksesin e madh të arritur në një intervistë për ‘GazetaBlic Sport’, atje ku tha se gjithçka ka ndodhur në bazë të organizimit të mirë që ka klubi.

Kjo arritje nuk ka qenë e lehtë, një klub që u formua një vit më parë u shpall kampion edhe arriti në gjysmëfinale të kupës, normalisht që është një arritje e madhe. Kur erdha në Suharekë në fund të sezonit vjeshtor, ishim 8 pikë prapa vendit të parë që ishte Dinamo, tani jemi 7 pikë para Dinamos, natyrisht nuk ka qenë e lehtë. Në një klub ku gjithçka funksionon në mënyrë perfekte si nga ana organizative ashtu edhe nga ana financiare, rezultatet nuk mungojnë”, tha fillimisht Thaqi.

“Kuptohet që meritorë janë të gjithë, duke filluar nga presidenti i klubit, aksionerët e tjerë me vullnet të mjaftueshëm për futboll dhe investim në të, grupi i lojtarëve me eksperiencë dhe maksimalisht të përgatitur, poashtu me përkushtim për të fituar çdo ndeshje, prandaj kjo ka ndikuar që ende pa përfunduar kampionati, ne ta festojmë titullun. Shpresojmë të krijojmë një derbi të madh në të ardhmen, Suharekë – Ballkani”, vazhdoi tutje.

Në fund, ai u pyet se a do të vazhdojë trajner i Suharekës edhe në Superligë, ku tha se beson se do të vazhdojnë me projektin e përbashkët.

“Normal që do ta kemi edhe një takim me klubin, besoj se nuk kemi ndonjë gjë që na ndalon me vazhdu bashkëpunimin edhe në Superligë“, përfundoi Thaqi.

/GazetaBlic Sport/