Mbrëmjen e sotme duke nisur nga ora 21:00, Struga sfidon malazezët e Buduçnostit në Podgoricë. Ndeshja e parë është mbyllur me triumfin minimal të kampionëve të Maqedonisë. Para kësaj ndeshjeje, e cila do të transmetohet në “Super Sport”, foli trajneri i Strugës, Shpëtim Duro.
“Ndeshjen e nesërme (sotme) me Buduçnostin e presim me shumë interes. Pres që skuadra të bëjë një paraqitje të mirë, ashtu sikurse ka bërë në të tria ndeshjet e deritanishme në Europë, dy kundër Zalgiris dhe ndeshjen e fundit kundër Buduçnostit.
Rezultati nga ndeshja e parë është pozitiv, pasi kemi arritur të fitojmë ndeshjen e parë, por kjo është një ndeshje tjetër, ka një histori në vete. Nuk do të kemi mendimin që kemi fituar, por patjetër se duhet pranuar se është një rezultat i favorshëm”, u shpreh Duro.


