Sporti

Muaji i shenjtë i Ramazanit, shumë futbollistë kosovarë do të agjërojnë

03/22/2023 15:03
nga:Mergim Rreci

Futbolli kosovar është në pauzë momentalisht për shkak të ndeshjeve të kombëtareve.

Megjithatë, skuadrat po vazhdojnë përgatitjet e tyre dhe futbollistët tentojnë të mbajnë formën optimale, kjo edhe për shkak se garat po shkojnë drejt fundit.

Por, nga dita e nesërme, futbollistëve do t’u shtohet edhe një “sfidë”, ajo e agjërimit. Nga dita e nesërme fillon muaji i shenjtë i Ramazanit, ndërsa shumë futbollistë kanë vendosur që përkundër aktiviteteve të shumta të fillojnë agjerimin.

Futbollisti i Ballkanit, Armend Thaqi është në mesin e tyre, ku në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’ tha se do të agjëroj, në përjashtim të ditëve të ndeshjeve, të cilat do të zëvendësohen pas përfundimit të këtij muaji të shenjtë.

Me emër te Zotit do të fillojmë agjërimin, e di që nuk do jetë lehtë, miërpo me ndihmën e Zotit shpresojmë që do t’ia dalim. Do të ketë ditë që nuk do të mundemi me agjeru për shkak të ndeshjeve të shpeshta, por do t’i zëvendesojmë më pas”, tha Thaqi.

Një nga futbollistët më të mirë të Superligës, Kreshnik Uka, futbollisti i Prishtinës, do të jetë poashtu në mesin e futbollistëve agjërues.

“Unë do të agjëroj me emër të Zotit, por do të jetë shumë e vështirë sepse ne kemi stërvitje çdo ditë dhe në ndeshje intensiteti do të jetë shumë i lartë, por në këtë muaj të shenjtë duhet të jem veçanërisht i kujdesshëm me ushqimin, sepse çështja e ushqimit ndikon edhe tek performanca e futbollistit në lojë. Do të jetë një sakrificë e madhe për çdo sportist“, tha Uka për ‘GazetaBlic Sport’.

Njëri nga futbollistët që po dhuron spektakël gjatë këtij viti në futbollin kosovar është Liridon Fetahaj. Ai ka luajtur tek disa skuadra në Superligë, por në këtë edicion ka ‘shpërthyer’ me super golat e tij dhe edhe ai do të jetë në mesin e futbollistëve që do të agjërojnë.

Unë kam agjëruar vazhdimisht, më vështirë ishte kur stërvitja ishte afër iftarit dhe gjatë stërvitjes harxhohej energjia dhe nga aty shkoja në këmbë deri në shtëpi, ku ishte iftari në orën 20:30, por kur e fillon me bindje dhe durim, gjithçka është e lehtë“, tha fillimisht ai.

“Më kujtohet kur në një ndeshje kundër Hajvalisë na kërkuan të mos agjëronim për shkak të rëndësisë së ndeshjes, edhe pse Hajvalia ishte me junior, por ekzistonte rreziku që ne të shkojmë në barazh. Ne nuk agjëruam (shumica) dhe më pas fituam 9-1. Në atë takim, unë shënova 5 gola dhe dhurova 4 asistime“, vazhdoi Fetahaj.

Krejt në fund, ai tha se ka pasur momente kur ka luajtur edhe agjërueshëm, por që kushtet në Kosovë pothuajse e pamundësojnë një gjë të tillë.

“Kam pasur momente që kam qenë agjërueshëm edhe në lojë, por kushtet këtu nuk janë të mira, sepse ndeshjet luhen në pikun e ditës dhe vapa është e lartë, atje dehidratimi shkon më pas në shkallën e lartë, nuk mund të mbahet ashtu siç duhet. Tani, nuk agjëroj në ndeshje“, përfundoi ai.

Vlen të theksohet se muaji i Ramazanit fillon nesër, ndërsa përfundon me 20 prill.

/GazetaBlic Sport/