Lajme

Rafuna: LDK ka listën me kandidatët më profesionistë të vendit – Në Prishtinë, do t’i marrim shumicën e votave

12/19/2024 17:03
nga:Genita C

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputete, Jeta Rafuna Hasani, ka theksuar se lista e kandidatëve të LDK-së është më e mira dhe e vlerësuar nga të gjithë, duke e krahasuar atë me listat e tjera për zgjedhjet e ardhshme.

Sipas saj, kjo listë është përbërë nga individë me integritet dhe profesionalizëm, të cilët janë të dëshmuar në fushat e tyre.

“Lista e LDK-së është më e mira, e vlerësuar nga të gjithë. Është një listë që ka dallime enorme me listat e tjera, përbëhet nga njerëz me integritet, profesionistë të vërtetë, të cilët janë të dëshmuar në fushat e tyre. Tani jemi në kohën kur Kosovës i duhet një rrugë e re, dhe kemi nderin që listës sonë t’i prijë lideri ynë, Lumir Abdixhiku,” tha Rafuna Hasani.

Ajo theksoi se Prishtina ka qenë dhe do të mbetet bastion i LDK-së, duke paralajmëruar një fitore bindëse në zgjedhjet e ardhshme.

“Prishtina ka qenë dhe do të jetë bastion i LDK-së. Këtu do t’i marrim shumicën dërrmuese të votave. Ashtu siç kemi fituar në zgjedhjet komunale, do të rifitojmë edhe në zgjedhjet nacionale,” shtoi Rafuna Hasani.

Në lidhje me angazhimin e saj, Jeta Rafuna Hasani e theksoi se ka qenë aktiviste e kahmotshme e LDK-së, duke filluar që në moshën 17-vjeçare kur u angazhua në Forumin e Rinisë.

Ajo është pjesë e strukturave të Forumit të Gruas dhe anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

“Për dy mandate, kam qenë asambleistja më e votuar në komunën e Prishtinës dhe tri vite kam udhëhequr grupin e asambleistëve të LDK-së,” tha ajo.

Jeta Rafuna Hasani, e cila është  nga Prishtina dhe mbesë nga Dukagjini, theksoi se ka lidhje të ngushta me gjithë qytetarët e Kosovës dhe beson se do të jetë një përfaqësuese e besueshme e të gjithëve pa dallim.

Intervista e plotë: