Sporti

Jesus paralajmëron Cityn: Shkojmë në ‘Etihad’ për fitore

04/22/2023 08:07
nga:Mergim Rreci

Pavarësisht se Arsenali barazoi, në shtëpi, ndaj Southampton (3-3), Gabriel Jesus vlerësoi shpirtin luftarak nga skuadra për t’u rikuperuar nga 1-3, 3-3.

Sulmuesi brazilian pranoi gjithashtu se lufta për titull është më e ndërlikuar, por gjithashtu paralajmëroi rivalët e tij se janë gati të shkojnë dhe të fitojnë në Manchester City, përcjell GazetaBlic Sport.

“Shumë gjëra po ndodhin. Nuk dua të vij këtu dhe të flas në mënyrë negative, sepse jemi shumë pozitivë. Ajo që kemi bërë këtë sezon është fantastike, por Premier League është e vështirë. Është një moment i vështirë dhe duhet të jemi të bashkuar deri në fund. Kemi ende shumë gjëra për të bërë këtë sezon. Nuk ka mbaruar ende dhe jemi pesë pikë larg. Manchester City ka dy ndeshje, por nëse duam të jemi kampionë, duhet të shkojmë atje dhe të fitojmë. Vetëm kaq”, tha sulmuesi duke folur për “Sky Sports”.

Gabriel Jesus pranoi se skuadra gaboi në takimin në Emirates: “Ne jemi skuadra më e re në Ligë, por nuk po justifikoj. Ndonjëherë ne i bëjmë gjërat siç duhet dhe ndonjëherë jo. Të gjithë bëjnë gabime dhe kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme të jemi të bashkuar”.