Lajme

‘Java e nxehtë’, analistët: LVV s’ka vota, më mirë të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme!

07/23/2025 18:43
nga:Y I

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është shprehur optimist se gjatë kësaj jave mund të konstituohet Kuvendi por edhe të formohet Qeveria.

“Du me qenë optimist se kjo javë mundet përfundimisht me kriju një situatë të re ku ne do të kemi Kuvend edhe Qeveri” tha ministri Peci raporton “Gazeta Blic”.

Në lidhje me deklaratën e ministrit Peci ka folur për “Gazeta Blic” njohësi i zhvillimeve politike në vend, Avni Arifi.

Arifi tha se ‘Faton Peci dhe shokët e tij që 5 muaj thonë se i kanë votat por deri më sot ishin vetëm mashtrime’.

Ai tutje potencoi se secili është kurioz të dij se nga i marrin votat.

“Peci me shokë që 5 muaj thonë se i kanë numrat por deri më sot ishin vetëm mashtrime. Besoj që secili është kurioz me dite kah i merr votat” tha Arifi në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

Avni Arifi, Analist!

Jo shumë optimist se mund të formohet Kuvendi po ashtu edhe Qeveria është edhe profesori universitar, Muhamet Kelmendi.

Kelmendi tha se pas gjithë gjendjes së krijuar është më mirë të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Ai tha se një pushtet ndërmjet LVV-së, Nismës dhe minoriteteve jo-serbe në Kosovë nuk i duhet shtetit.

“Një pushtet në mes VV-së, Nismës dhe minoritetit jo serb në Kosovë nuk i duhet shtetit. Kuptohet se subjekti fitues në zgjedhje, perkatësisht  LVV-ja, është duke bërë angazhime për të zgjedhur kryetarin a kryetaren e Kuvendit dhe pastaj edhe të Qeverise. Per shtetin e Kosoves është shumë më mirë për të shkuar në zgjedhje te reja, sesa të kemi një qeveri të tillë me Nismën e me minoritete. Nuk do të ketë sukses në punë, është Qeveri e brishtë. Kontradiktat janë të mëdha dhe interesat e kundërta dhe thjesht personale. Pas gjithë gjendjes se krijuar është e rruges të shkohet në zgjedhje të jashtezakonshme” tha Kelmendi në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

Muhamet Kelmendi, Profesor universitar!

Ndërsa politologu, Arbnor Sadiku, tha se mundet që brenda afatit që ka vendosur Gjykata Kushtetuese të kemi një qeveri të pakicës.

Ai tha se e vetmja parti që mund të lëshojë ‘pe’ është Nisma me kushtin që mund të marrë ndonjë ministri ose eventualisht të pranojë një bashkë-kualicion kurdo që të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare, Nisma-LVV.

“Shpresat janë të mëdha që brenda këtij afati që ka caktu kushtetuesja për konstitumin e Kuvendit, 26 korrikun, ndoshta mund të bëhet ndonjë Qeveri e pakicës me Nismën dhe minoritet. Nëse kjo nuk ndodh zgjedhjet e reja parlamentare janë të pashmangshme ndonëse nuk e dim ende se cili është sanksionimi nëse kalohet ky 30-ditëshi që ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese.E vetmja parti që mund të lëshojë ‘pe’ është Nisma me kushtin që mund të marrë ndonjë ministri ose eventualisht të pranojë një bashkë-kualicion kurdo që të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare, Nisma-LVV, në mënyrë që mos të penalizohet NISMA si parti politike” tha Sadiku në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

Arbnor Sadiku- Politolog!

Partia e cila ka dalë e para në zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje, vazhdon të insistojë në kandidaturën e Albulena Haxhiut, kandidaturë e cila nuk po gjen përkrahje nga ish-partitë opozitare.

Sot seanca u shoqëria edhe me konfikt verbal ndërmjet deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, dhe kryesuesit të seancës, Avni Dehari, ç’ka solli ndërprerjen e punimeve.

Seanca e radhës pritet të mbahet pas 48-orësh raporton “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/