Japonia ka njoftuar një rikthim në energjinë bërthamore në mes të një krize energjetike më shumë se një dekadë pas katastrofës së Fukushimës të vitit 2011, e cila detyroi Tokion të mbyllte shumicën e reaktorëve të saj.
Opinioni publik japonez është kthyer kundër energjisë bërthamore që kur një tërmet i fuqishëm dhe cunami shkaktuan aksidentin në termocentralin bërthamor të Fukushimës, por disponimi ka ndryshuar për shkak të rritjes së kostove të energjisë.
Japonia, e ekspozuar ndaj tërmeteve, më parë nuk kishte plane për të ndërtuar reaktorë të rinj, por tani synon të zëvendësojë ata që kanë dalë jashtë funksionit dhe t’u zgjasë jetën të tjerëve, njoftoi Ministria e Industrisë.
Kthimi në politikën e energjisë vjen pasi kryeministri Fumio Kishida njoftoi në gusht se Japonia do të konsideronte zhvillimin e reaktorëve të gjeneratës së ardhshme.
Më pas ai urdhëroi Ministrinë e Industrisë që deri në fund të vitit të hartonte një plan për zgjerimin e përdorimit të energjisë bërthamore.
Qeveritë në të gjithë Evropën dhe Azinë po zgjasin gjithashtu jetët e centraleve të tyre bërthamore të vjetruara, duke rifilluar reaktorët dhe duke hequr pluhurin nga projektet e planifikuara më parë të braktisura pas katastrofës së Fukushimës.
Japonia, sipas planit strategjik energjetik të miratuar nga qeveria vitin e kaluar, synonte të reduktonte sa më shumë varësinë e saj nga energjia bërthamore.
Por drejtimi i ri, i miratuar nga një panel i ministrisë së industrisë të premten, do të lejojë reaktorët ekzistues bërthamorë të funksionojnë përtej kufirit aktual 60-vjeçar dhe të mbështesin zhvillimin e reaktorëve të rinj.
Detaje të mëtejshme do të diskutohen në parlament vitin e ardhshëm, tha një zyrtar i ministrisë së industrisë. Në vitin financiar që përfundon në mars 2021, energjia bërthamore përbënte 3.9 për qind të energjisë elektrike të Japonisë dhe qëllimi i qeverisë është ta rrisë atë pjesë deri në 22 për qind deri në vitin 2030


