Drejtor i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq, pasi që kritikoi vendimin e autoriteteve serbe për të mos lejuar zëvendëkryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, për të udhëtuar drejt Beogradit, i pyetur se çfarë pret të ndodhë më 1 nëntor, kur skadon afati për riregjistrim më të favorshëm të automjeteve, pas së cilës Qeveria e Kosovës njoftoi se do të konfiskojë automjetet që nuk kanë targa RKS, dhe duke marrë parasysh njoftimin e Listës Serbe se do të vendosë barrikada nëse automjetet konfiskohen, tha se nuk pret konflikt të armatosur.
“Një lëvizje marketingu ndodhi sot. Nuk do të ketë ‘Stuhi’, por duhet të tregohet se ka rrezik”, vlerëson Janjiq, duke iu referuar deklaratave të mëparshme të Vuçiqit se Kurti po përgatit një “Stuhi të re”, duke shtuar se kjo lëvizje marketingu ka të bëjë vetëm me këtë.
Ai shton se në barrikada më 31 korrik, kur kishte skaduar afati i fundit për reciprocitetin e Prishtinës, ka pasur njerëz të uniformuar dhe jo qytetarë të thjeshtë dhe potencon se “për këtë arsye është i shqetësuar si qytetar”.
Kujtojmë se EULEX-i dje ka theksuar për një media të Prishtinës se atë ditë [31 korrik] në barrikada janë vërejtur një numër i konsiderueshëm dhe shqetësues i personave të armatosur.
“Kurti ka lënë hapësirë për të biseduar me Escobarin dhe administratën amerikane, besoj se Beogradi bisedon edhe me aktorë ndërkombëtarë, por flas nga përvoja – kështu fillon lufta civile”, thekson ai.
Ai po ashtu kërkon nga Kurti që të ndryshojë retorikën e tij, kurse Vuçiqit “të mos bjerë në historinë e reciprocitetit”.
“Masa e reciprocitetit janë kur dikush të godet me shuplakë dhe ju ia ktheni. Kështu do të jetë derisa dikush të gjuajë”, thotë Janjiq.
Ai nuk pret konflikte të mëdha të armatosura, por thekson se bëhet fjalë për shtyrjen e një detyrimi madhor të Prishtinës dhe Beogradit dhe komunitetit ndërkombëtar për të punuar në shpërbërjen e formacioneve paraushtarake.
“Targat janë luftë për sovranitet”, thekson Janjiq dhe shton se nuk do të çuditej të shihte një propozim gjermano-francez, dhe porosit se duhet të vazhdohet të flitet në bazë të këtij propozimi dhe të shkohet drejt normalizimit.
“Kërkoj nga qeveria ime, të sapoemëruarit, që ta marrin për zemër, dhe vëllezërit dhe motrat serbe t’i thërrasin mendjes”, tha Janjiq.


