Sporti

Ismet Munishi për futbollin në Kosovë: Kampion bëhesh në fushë dhe në tavolinë, pa dyjat nuk shkon!

04/26/2024 21:54
nga:E K

Trajneri kosovar, Ismet Munishi i ftuar në ‘Blic Interview’ prodhim i GazetaBlic ka folur rreth cilësisë së futbollit në Kosovës, duke mos kursyer kritikat e ‘kurdisjeve’ të ndeshjeve.

Sipas Munishit përveç lojës në fushë, ka edhe tolerime jashtë fushës mes skuadrave.

Munishi edhe në kohën sa ishte trajner kishte kritika në mënyrën e referimit dhe kurdisjeve të ndeshjeve duke thënë që skuadrat e tij po sulmohen qëllimisht.

“Kampion bëhesh në fushë të gjelbërt edhe në tavolina. Pa dyjat nuk shkon. Nuk ka kuptim, unë mendoj se përfundimisht ne duhet të kthehemi kah zhvillimi i futbollit, organizimi duhet m’u bë më ndryshe, duhet m’u përmirësu pak infrastuktura që është gjendje mizerje”, tha fillimisht ai.

Tutje, ai ka folur edhe për infrastrukturën e stadiumeve vendore, ku në veçanti përmendi gjendjen aspak të mirë të stadiumit ‘Fadil Vokrri’ aty ku Kosova zhvilloi ndeshjet e fundit ndërkombëtare.

Sipas tij, stadiumi ishte në gjendje të mjerueshme dhe ishte për turp që bota shikoi Kosovën duke luajtur në infrastrukturë të tillë.

“Është marrja e Zotit krejt bota na ka pa t’u lujtë në lloç në Fadil Vokrri, në gjendje të mjerueshme. Ne duhet të mendojmë ndryshe, ne kemi dëshmu që mund të prodhojmë sportista, fitues të medaljeve olimpike, futbollista që i njohin ndërkombëtarisht, këngëtarë, artiste, pra “domain” i këtij shteti është ky, si shtet i vogël, por me njerëz të talentuar”, përfundoi ai për Blic Interview.

Kujtojmë se së fundmi dy skuadra kosovare [Ulpiana dhe Vllaznia e Pozhoranit] u përjashtuan nga Liga e Parë e Kosovës nga FFK për shkak të dyshimeve për kurdisje të ndeshjes mes tyre.

/GazetaBlic/