Lajme

Ismet Kryeziu kundër votimit të fshehtë për Kryetarin e Kuvendit: Cënohet transparenca dhe demokracia

07/09/2025 16:31
nga:Genita C

Ismet Kryeziu nga KDI ka kritikuar votimin e fshehtë për Kryetarin e Kuvendit, duke e cilësuar si praktikë që cenon transparencën, llogaridhënien dhe vlerat demokratike, raporton GazetaBlic.

Sipas tij, në mungesë të garës dhe me vetëm një kandidat, ky votim nxit dyshime për pazare politike dhe mungesë përgjegjësie publike.

Kryeziu thekson se deputetët duhet të votojnë hapur, pasi janë përfaqësues të qytetarëve dhe jo individë të shkëputur nga vullneti i tyre.

Postimi i plotë:

Përtej interpretimit kushtetues, votimi i fshehtë për Kryetarin e Kuvendit, cenon parimet e transparencës, llogaridhënies dhe vlerat themelore të demokracisë.

Sidomos kur ekziston vetëm një kandidat, pa asnjë formë gare apo alternative, ky proces jo vetëm që humb kuptimin, por ngjall dyshime serioze për pazare politike, marrëveshje dhe shpërblime të fshehta, si dhe mungesë guximi për të marrë përgjegjësi publike.

Në këtë kontekst, vota e fshehtë nuk garanton integritet – përkundrazi, e zëvendëson transparencën me një proces që perceptohet si i manipuluar dhe i dyshimtë.

Deputetët nuk janë të zgjedhur për të vepruar si individë të shkëputur nga vullneti i qytetarëve. Ata janë përfaqësues publikë dhe, si të tillë, kanë përgjegjësinë të votojnë hapur – veçanërisht kur bëhet fjalë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, një figurë që do të duhej të përfaqësonte balancën dhe unitetin institucional.

Sa herë që deputetët e fshehin votën, ata i mohojnë qytetarit të drejtën për të ditur kush qëndron pas një vendimi – aty ku fshihet përgjegjësia, zbehet legjitimiteti dhe vlera e përfaqësimit.