Sporti

Ishte pjesë e Kosovës dhe Shqipërisë, Shaban Zenku pasi u largua: Është ndryshe të luash për Maqedoninë e Veriut

09/29/2022 10:07
nga:Mergim Rreci

Futbollisti me origjinë shqiptare, Shaban Zenku është një nga emrat shumë premtues për të ardhmen. 

I lindur në vitin 2004, 18 vjeçari nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut, karrierën e tij është duke e zhvilluar tek skuadra e njohur gjermane, Borussia Monchengladbach U19.

Mesfushori me tipare sulmuese u bë pjesë e diskutimeve për faktin se ndryshoi tri kombëtare brenda një viti.

Ai filimisht u grumbullua me Kosovën U18, pastaj kaloi tek Shqipëria U18 dhe në fund iu bashkua Maqedonisë së Veriut U19, një rast shumë interesant që pothuajse nuk ka ndodhur tek asnjë futbollist shqiptar.

Që në ndeshjen e parë me kombëtaren e tij të re, ai e gjeti rrugën e golit. Zenku shënoi një gol të bukur në fitoren me përmbysje ndaj Qipros.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, Zenku tha se ka fituar përvojë nga grumbullimi me tri kombëtare, por që në veçanti është i lumtur për golin e shënuar për Maqedoninë e Veriut.

Kam marrë një ftesë nga të tre kombëtare dhe kam fituar përvojë nga të gjitha. Më pëlqeu shumë në veçanti në Maqedoni dhe jam i lumtur që e ndihmova skuadrën të fitojë me golin tim”, tha fillimisht ai.

Më pas, ai tha se ka kaluar kohë të bukur, por të shkurtër tek Kosova. Megjithatë, sipas tij është ndryshe të luajë për Maqedoninë e Veriut, kjo për faktin se vjen nga Kërçova.

Kam kaluar edhe një kohë të bukur por të shkurtër në Kosovë. Mora një ftesë dhe e pranova dhe pashë gjithçka. Megjithatë, unë jam nga Kërçova, prandaj është ndryshe të luash për Maqedoninë e Veriut”, përfundoi Zenku për ‘GazetaBlic Sport’.

Kujtojmë se Zenku është pjesë e futbollit evropian në nivel klubesh për vite të tëra dhe pritet mjaft nga ai në të ardhmen, duke parë edhe cilësitë që posedon.

 

/GazetaBlic Sport/