Sporti

Ish futbollisti i Kosovës, Pepa: Përshtypje pozitive nga dy miqësoret e marsit, na duhet më shumë vetëbesim

03/28/2024 20:24
nga:Mergim Rreci

Pas fitores së parë nën udhëheqjen e trajnerit Franco Foda, Kosova është mposhtur në ndeshjen e dytë.

”Dardanët” u mposhtën me rezultat 2:0 në Hungari, ndonëse patën një paraqitje dinjitoze në ‘Puskas Arena’.

Kosova zhvilloi një pjesë të parë më të mirë duke dominuar kundërshtarin, por njëjtë nuk ishte edhe në 45 minutat e dytë, atje ku vendasit realizuan dy gola.

Në këtë mënyrë, Franco Foda e nisi me një fitore dhe një humbje aventurën e tij tek Kombëtarja e Kosovës, gjithmonë me synime të qarta që kjo aventurë të jetë e gjatë dhe e suksesshme.

Ish futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Avni Pepa tha për ‘GazetaBlic Sport’ se është herët për të komentuar, por që ka përshtypjen se ky grup mund të ketë rezultate.

“Pak herët për të komentuar, por mendoj që me Armeninë kishim një paraqitje të mirë dhe solide. Kombëtarja e Armenisë në ndeshjet si vendase nuk është aspak një kundërshtar i lehtë. Kam përshtypjen se kemi avancuar në aspektin ofanziv, pra jemi më sulmues se sa kemi qenë. Por, me Hungarinë, kishim një pjesë solide, por një të dytë jo aq të mirë. Na duhet më shumë stabilitet, sepse po shihet që kur pranojmë një gol, vetëbesimi i futbollistëve bie. Megjithatë, kam përshtypje pozitive që mund të bëhet mirë“, deklaroi Pepa.

/GazetaBlic Sport/