Sporti

Ish futbollisti i Kosovës, Avni Pepa: S’ka më arsye që na duhet hala kohë, kemi lojtarë të mirë – pres minimum katër pikë në dy ndeshjet e para

03/20/2023 20:28
nga:Lorik J

Kombëtarja e Kosovës në futboll do të nisë ndeshjet kualifikuese për kampionatin evropian “Euro2024” ndaj Izraelit në udhëtim të shtunën me 25 mars. Tre ditë më pas, ‘Dardanët’ e mirëpresin Andorrën në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet.

Përveç dy kombëtareve të lartëpërmendura, Kosova ndodhet në grupin I edhe me Zvicrën, Bjellorusinë dhe Rumaninë, me të cilat garon për vend në kampionatin evropian, shkruan GazetaBlic Sport.

Ish futbollisti i njohur i Kosovës, Avni Pepa ka theksuar se pret të paktën katër pikë nga dy ndeshjet e para ndaj Izraelit dhe Andorrës.

“Pres gjashtë ose katër pike minimum qe t’i marrim në këto dy ndeshje. Mendoj që kemi lojtarë më të fortë se Izraeli, teksa ndaj Andorrës pres patjetër fitore”, tha fillimisht Avni Pepa për ‘GazetaBlic Sport’.

Ish mbrojtësi, Pepa thotë se tani s’ka më arsye dhe se ekipi duhet të jetë më ofansiv. Sipas tij, duhet të fillojmë të mendojmë të jemi konkurrent për të qenë lartë në tabelë.

“Kemi pas lojtarë të mirë edhe në liga të forta tash e disa vjet tash. Tani është koha me mendu për me qenë lartë me Zvicrën në këtë grup. Tani nuk ka arsye me jep që hala na duhet kohë dhe arsyet tjera. Kemi lojtar që bëjnë paraqitje të mira në ligat më të forta në Europë, duhet me qenë ofansiv në kokë dhe me pritë më shumë prej ekipit”

“Veç mentaliteti mundet me na dobësu, krejt ekipa duhet m’u bashku”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport