Sporti

Ish futbollisti i Kosovës, Kushtrim Lushtaku: Do të ishte mrekulli nëse kualifikohemi në Europian

03/20/2023 16:50
nga:L J

Kombëtarja e Kosovës në futboll është në prag të ndeshjeve të para kualifikuese për kampionatin Europian 2024, ku edhe fillon ëndrra “Dardane”.

Kosova fillimisht do të luajë si mysafir ndaj Izraelit me 25 mars, kurse tre ditë më vonë e mirëpret Andorrës në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Ish futbollisti i kombëtares së Kosovës, Kushtrim Lushtaku, i cili përfaqësoi vendin tonë në momentet më të vështira, pra para pranimit në UEFA dhe FIFA beson se kualifikimi në Europianin e vitit 2024 do të ishte diçka e mrekullueshme.

“Në futboll çdo gjë është e mundur. Normalisht që do ishte një mrekulli për Kosovën nje arritje e tillë, si kualifikimi në Euro2024. Shpresoj dhe deshirojë që do ndodhë, do ishte një hap i madh për ne si shtet në botën e futbollit. Kemi futbollistë aktual shumë të mirë dhe për talentët besoj që i kemi në Kosovë dhe në mërgim do kishin më shumë vëmendje nga klube evropiane”, tha fillimisht Kushtrim Lushtaku për ‘GazetaBlic Sport’.

Lushtaku i cili shënoi golin e fitores në vitin 2014 ndaj FC Wil në ndeshjen testuese, thotë se grupi nuk është edhe aq i lehtë.

“Unë mendoj që çdo skuadër mund të na hap telashe. Duhet të kemi përqëndrim në çdo ndeshje dhe të jemi të disiplinuar taktikisht dhe në menaxhim të rezultateve, por mos të harrojmë se Zvicra, Rumania dhe Izraeli i kanë ekipet e mira, por çdo gjë është e mundshme në futboll”, vazhdoi ai.

Në fund, Lushtaku potencoi se Kosova duhet të përqëndrohet tek lojtarët si Muriqi e Rashica, duke parë formën e tyre.

“Giresse normalisht duhet t’i ketë bërë mendimet dhe studimet e lojtarëve. I kemi disa lojtarë mjaft cilësor në të cilët do duhet të ndërtohet loja, siç është Muriqi në ajër, Rashica me shpejtësi dhe të tjerët”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport