Sporti

Ish drejtuesi i ‘Topit të Artë’: Mbappe nuk e meriton këtë çmim!

10/07/2026 21:34
nga:Mergim Rreci

Ish-drejtuesi i “Topit të Artë, Pascal Ferre, ka dhënë një deklaratë të fortë në lidhje me Kylian Mbappén dhe garën për çmimin prestigjioz individual.

Ferre ka bërë të ditur se këtë vit nuk do ta votonte yllin francez për Topin e Artë, pavarësisht se e konsideron atë një futbollist të madh.

“Ai është një lojtar i madh, por këtë vit nuk do ta votoja”, ka deklaruar Ferre.

Sipas tij, një nga arsyet kryesore është fakti se Mbappe ishte ndër të nominuarit që nuk arriti të fitojë ndonjë trofe me klubin e tij gjatë sezonit.

“Mes 30 të nominuarve, ai ishte një nga të paktët që nuk fitoi trofe me klubin e tij. Më duket e çuditshme të jesh lojtari më i mirë në botë pa fituar asgjë gjatë sezonit”, është shprehur ai.

Ferre theksoi se futbolli është mbi të gjitha një sport ekipor dhe se sukseset e skuadrës duhet të kenë peshë në vlerësimin për Topin e Artë.

“Futbolli mbetet një sport ekipor. Nëse nuk arrin të fitosh, do të thotë se nuk ishe mjaftueshëm i fortë. Ky është mendimi im”, përfundoi Ferre.

/GazetaBlic Sport/