Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka komentuar lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit.
Sipas tij, nëse synohet një zgjidhje për këtë çështje, është e domosdoshme që të ekzistojë vullnet për kompromis dhe bashkëpunim mes palëve politike.
“Në qoftë se dëshirojmë zgjidhje, ose në qoftë se jemi të gatshëm edhe si pozitë edhe si opozitë ta bëjmë presidentin, atëherë duhet të ketë hapësirë për marrëveshje. Domethënë duhet të ulen pozita dhe opozita, të merren vesh bashkërisht për një personalitet, mos ta thjeshtoj për një personalitet i cili kishte me e kry këtë punë pa anime politike”, tha ai.
I pyetur nëse Vjosa Osmani mund të rikthehet në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Mustafa nuk pranoi të japë një përgjigje konkrete, duke theksuar se nuk ishte momenti për ta trajtuar atë temë.
“Do t’ju kërkoj falje, sepse sot është krejt një temë tjetër. Nuk do të dëshiroja që sot këtë çështje që e kemi hapur këtu në Akademi ta ndërlidh me emra konkretë, kush synon e kush çka ka bërë të mbarën. Mund ta shfrytëzojmë ndonjë rast tjetër që unë të jap qëndrimin tim politik”, tha ai.


