Lajme

Isa Mustafa i bindur: Kundërshtimi ndaj Asociacionit e solli Kurtin në pushtet

08/25/2021 15:18
nga:Gazeta Blic

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të ishte jokushtetues nëse do të kishte kompetenca ekzekutive.

Kështu vlerëson Isa Mustafa, i cili më 25 gusht 2015, si Kryeministër i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen për themelimin e tij.

“Në rast se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të kishte kompetenca ekzekutive, ai do të bëhej pushtet i tretë dhe si i tillë është jokushtetuës dhe i papranueshëm”, është shprehur Mustafa.

Ish Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se nuk pret që marrëveshja e nënshkruar gjashtë vjet më parë të mund të pranohet nga kryeministri aktual, Albin Kurti.

“Kundërshtimi i Asociacionit dhe i dialogut me Serbinë e ka sjellë Albin Kurtin në pushtet. Prandaj do të ishte e panatyrshme që ai ta pranojë Asociacionin”.

Sa i përket një marrëveshjeje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë, thotë se nuk sheh vullnet as për dialog e as për marrëveshje nga asnjëra palë, me apo pa asociacion.

“Nuk po vërej përkushtim as nga faktori ndërkombëtar. Nuk ka ide dhe strategji për dialogun në Kosovë nga asnjë organ, qoftë nga qeveria, parlamenti apo presidenca. Të gjithë po kënaqen se ‘ia thamë të tërat Serbisë’, por në fakt Serbia po fiton përkrahje ndërkombëtare, kurse ne jemi dehur në romantizmin lokal politik”, është shprehur Mustafa, njofton Klankosova.tv.

Ndërkaq, Bekim Çollaku, ish shefi i Kabinetit të ish Presidentit Hashim Thaçi, thotë se kërkesa për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ka ardhur nga shteti serb.

“Kërkesa për themelimin e AKS ka ardhur nga Serbia, ndërsa pala kosovare ka pranuar themelimin e saj me kushtëzimin që ajo të themelohet njëjtë sikur Asociacioni i Komunave të Kosovës në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, është shprehur Çollaku, njofton Klankosova.tv.

Më tej, Çollaku thekson se Bashkimi Evropian po e mban përgjegjëse Kosovën për mos themelimin e këtij asociacioni, teksa shprehet se në rastin e AKS-së, në vazhdimësi ka pasur dhe ende ka qëndrime kontraverse nga ana e qeverisë dhe partive politike.

“Serbia nuk ka pasur asnjë interes që AKS të themelohet sipas marrëveshjes së Brukselit, prandaj edhe e ka bllokuar draftimin e draft statutit të AKS”, është shprehur ai.

Çollaku thotë se themelimi i AKS-së nuk po e mban peng dialogun Kosovë – Serbi, por se arsyeja e bllokimit të dialogut është mungesa e gatishmërisë së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Kryeministri Kurti do ta mbajë me çdo kusht status quo-n dhe të mos ndryshojë diskursin e tij populist, Si rrjedhojë, nuk do të ketë asnjë progres në dialog, as në procesin e integrimeve euro-atlantike, e lëre më në mundësinë për anëtarësim në OKB. Kjo qeveri, vetëm do ta thellojë izolimin e Kosovës dhe asgjë më shumë”.

Ndërsa, ai fundin e Qeverisë Kurti e sheh atëherë kur sipas tij qytetarët e Kosovës do ta kuptojnë se populizmi dhe nacionalizmi i Kurtit ka qenë vetëm një mashtrim dhe kur për vota.

“Qeverinë e udhëhequr nga Kurti mund ta rrëzojë dhe do të rrëzohet vetëm atëherë kur qytetarët e Kosovës ta kuptojnë se populizmi dhe nacionalizmi i Kurtit ka qenë vetëm një mashtrim, një kurth për të mbledhur vota dhe asgjë më shumë. Sa më shpejt ndodh një gjë e tillë, aq më mirë do të jetë për Kosovën”, është shprehur Çollaku.

Në kohën kur është nënshkruar marrëveshja në Bruksel, Kryeministër i Kosovës ka qenë Isa Mustafa ndërkaq Hashim Thaçi, Ministër i Punëve të Jashtme.

Marrëveshja është nënshkruar me ndërmjetësimin e Shefes së atëhershme të diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.

Krahas marrëveshjes për Asociacionin janë nënshkruar edhe tre marrëveshje, ajo për Telekomunikacion, ajo për Energji, për Lirimin e Qarkullimit mbi urën e lumit Ibër dhe marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Aso kohe Mustafa deklaronte se “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive” dhe se “marrëveshjet janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”.

Njëjtë si Mustafa deklaronte edhe Thaçi i cili thoshte se “marrëveshjet janë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës” dhe se “Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”.