Lajme

Irani refuzon thirrjet e Perëndimit për të mos e sulmuar Izraelin

08/13/2024 23:54
nga:G B

Irani ka hedhur poshtë thirrjet nga Britania e Madhe dhe vende të tjera perëndimore për të mos ndërmarrë hakmarrje ndaj Izraelit për vrasjen e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran muajin e kaluar.

Në mes të një vale diplomacie ndërkombëtare për të ulur tensionet, Kryeministri britanik Keir Starmer i kërkoi Presidentit iranian Masoud Pezeshkian “të heqë dorë nga kërcënimet e vazhdueshme për një sulm ushtarak” gjatë një bisede të rrallë telefonike të hënën.

Por, Pezeshkian tha se hakmarrja ishte një “mënyrë për të ndalur krimin” dhe “e drejta ligjore” e Iranit, sipas mediave shtetërore iraniane.

Izraeli, i cili nuk ka thënë se është përfshirë në vrasjen e Haniyeh, ndërkohë ka vënë ushtrinë e tij në nivelin më të lartë të alarmit, ka raportuar BBC.

SHBA-ja ka paralajmëruar se po përgatitet për një “sërë sulmesh” nga Irani ose përfaqësuesit e tij që mund të ndodhin që këtë javë dhe ka shtuar praninë e saj ushtarake në Lindjen e Mesme për të ndihmuar në mbrojtjen e Izraelit.

Lëvizja Hezbollah, e mbështetur nga Irani, në Liban gjithashtu po kërcënon të hakmerret për vrasjen e një prej komandantëve të saj të lartë nga Izraeli në një sulm ajror në Bejrut.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka shtyrë planet për të udhëtuar në Lindjen e Mesme të martën për të marrë pjesë në bisedimet për përfundimin e luftës në Gaza.