Sporti

Interi gati për Champions, Inzaghi planifikon tre ndryshime në formacion

09/19/2023 15:01
nga:Mergim Rreci

Pas startit fantastik në kampionat, me 4 fitore në po kaq ndeshje, Interi rikthehet në Champions League, aty ku më 10 qershor pa t’i venitet ëndrra e madhe përballë Manchester Cityt në finalen e Stambollit.

Zikaltrit do ta nisin këtë edicion në transfertën baske ndaj Real Sociedad, teksa trajneri simone Inzaghi po përgatit ndryshime në formacion, në mënyrë që t’i japë mundësi ndonjërit prej titullarëve të pushojë.

Kështu mediat pranë klubit zikaltër raportojnë se Inzaghi po përgatit tre zëvendësime nga 11-shja me të cilën ka startuar këto javë të para të kampionatit.

I pari do të jetë Pavard, që do të marrë vendin në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe do të bëjë debutimin zyrtar me fanellën zikaltër. Eksperienca e francezit të nivele të tilla, mund t’i japë diçka më shumë Interit në transfertën baske.

Tjetër futbollist që pritet ta nisë nga minuta e parë është Davide Frattesi, që do të marrë vendin e njërit mes Barellës dhe Mkhitaryanit, ndërsa një tjetër ndryshim pritet të ketë edhe në sulm, aty ku Arnautovic do ta nisë si titullar në krah të Lautaros, me Thuram që pritet të rikuperojë energjitë.

Vlen të theksohet se në transfertën baske nuk do të udhëtojnë me grupin Juan Cuadrado dhe Stefano Sensi, me të parin që është i dëmtuar dhe tjetrin që nuk është regjistruar në listën e Champions…

Pas kësaj sfide, Interi do të përballet të dielën me Empolin në transfertë dhe aty pritet që Inzaghi të ulë sërish në stol disa nga titullarët, në mënyrë që të menaxhojë energjitë e tyre në këtë tur force që do të vijojë deri në 10-ditëshin e parë të tetorit.