Gjatë vitit që lamë pas, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe Këshill të Evropës.
Po ashtu, mori një datë për liberalizimin e vizave për janar të vitit 2024.
Për fushën e integrimeve gjatë vitit 2022 për Kosovën, për Gazeta Blic kanë folur njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Mirsad Voca thotë se me ato dy aplikime, Kosova ka bërë përparim.
“Kosova ka bërë përparim konkret në anëtarësime pranë organizatave ndërkombëtare duke aplikuar për anëtarësim pranë BE dhe KiE. Kemi edhe liberalizimin e vizave që do të duhet të hyjë në fuqi pas përafërsisht një viti. Duhet pasur parasysh se kishim tre vite të vështirë duke filluar me COVID-19, të cilin e tërë bota u fokusua për ta luftuar. Pastaj, që nga shkurti 2022 kemi pushtimin e Ukrainës nga Rusia, i cili ka bërë tërë botën perëndimore bashkë në mbështetje të Ukrainës. Prandaj fokusi global gjatë tre viteve të fundit ishin këto dy çështje me peshë të jashtëzakonshme në fushën e Gjeopolitikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare”, thekson ai për Gazeta Blic.
Ai shton se pritshmëritë janë më të mëdha se arritjet dhe se gjithmonë ka mundësi për t’u bërë më shumë.
“Natyrisht, shpesh pritshmëritë janë më të mëdha sesa arritjet, mirëpo duhet thënë se Kosova ka bërë një përparim në afrimin e saj pranë organizatave ndërkombëtare dhe të njohjeve nga vende tjera. A është mjaftueshëm? Kjo çështje është e diskutueshme sepse gjithnjë ka mundësi për të bërë më shumë”.
Doktori i shkencave në marrëdhënie ndërkombëtare vlerëson se duhet të shtrihet diplomacia e Kosovës në arenën ndërkombëtare, që të krijojë ura lidhëse me shtetet njohëse dhe mosnjohëse.
“Si rrjedhojë, mendoj se Kosova duhet shtrirë më tutje diplomacinë e saj në arenën ndërkombëtare, që të krijojë ura dhe lidhje të reja me shtetet njohëse dhe mosnjohëse, të jetë edhe më e pranishme në lobimin e saj me mbështetje të vendeve partnere, të reformojë politikën e jashtme dhe diplomacinë, të jetë edhe më proaktive në promovimin e vendit jashtë, të zhvillojë diplomaci ekonomike dhe kulturore, të aktivizojë dhe ngritë më shumë performancën e shërbimit diplomatik sepse ka shumë gjëra të vogla që mund të bëhen të mëdha nga kori diplomatik i akredituar jashtë vendit, të hap ndonjë mision të ri me rëndësi gjeopolitike, dhe të fokusohet urgjentisht në burimet njerëzore që përbëjnë motorin e funksionimit të mirëfilltë në këtë rast të shërbimit të jashtëm i cili shpërfaq pikë së pari imazhin e vendit jashtë”, potencon Voca për Gazeta Blic.
Sipas tij, Qeveria duhet fokusuar në politikën e jashtme, pasi nuk ka kohë për të humbur duke u marrë vetëm me politikën e brendshme.
“Të gjitha këto çështje kërkojnë njëkohësisht reflektim dhe punë urgjente, prandaj duhet fokusuar edhe më shumë tek puna praktike sepse kjo i ka munguar dhe mungon ende dhe më së shumti Shtetit të Kosovës. Një mandat qeveritar është vetëm katër vite dhe politika e jashtme nuk ka më kohë për të humbur duke u marrë vetëm me çështje të organizimit të brendshëm por duke u fokusuar në përmbushjen e misionit të saj”, deklaron Mirsad Voca.
Ndërsa, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, thotë për Gazeta Blic se ky vit ka nisur e mbaruar me agjendë sovraniteti.
“Për shtetin e Kosovës viti kalendarik 2022, ka filluar dhe mbaroi, me agjendë sovraniteti. Pra, për një Kosovë sa më sovrane, për një shtrirje kontrolli të gjithmbarshëm territorial, që do të nënkuptonte më kompetente në shtrirjen e autoritetit shtetëror edhe tek pjesa e Veriut të vendit; me gjithë vështirësitë e rezistencës nga grupe parashtetërore Serbe si orkestër e dirigjuar nga Beogradi zyrtar”, thotë ai.
Sipas Pulës, ka pasur momente politike me peshë në fushën e integrimeve, si aplikimi për anëtarësim në KiE e BE.
“Por, përtej vështirësive e kundërshtive, kemi pasur momente apo ‘ambicie’ të rëndësisë historike për qytetarët dhe Kosovën politike. Nga ato me peshë në veçantinë e tyre janë; aplikimi i Kosovës për anëtarësim pranë organizatës më të madhe në Evropë, Këshillit të Evropës, më 12 Maj, 2022; pranimi i raportit të përvjetshëm nga Komisioni Evropian i UE-së; pjesëmarrja e Kosovës në Bashkësia Politike Evropiane, më 6 Tetor, 2022 si dhe aplikimi i Kosovës për ‘statusin e vendit kandidat’ pranë Unionit Evropian, më 14 Dhjetor, 2022”, shprehet ai.
Ai e sheh të rëndësishëm aplikimin për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe se raporti i Komisionit Evropian tregon angazhimin proaktiv të Kosovës në përmbushjen e përkushtimit në të gjitha sferat.
“Aplikimi për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës, pa mëdyshje, që ka rëndësi vitale në disa rrafshe, si p.sh., për barabarësinë e qytetarëve të Kosovës me ata të Evropës politike, duke fituar të drejtën edhe të qasjes në drejtësi pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në shtetësinë e Kosovës duke qenë si shtet i barabartë pranë shteteve anëtare, dhe në subjektivitetin ndërkombëtar duke e konfirmuar seriozitetin dhe qëndrueshmërinë shtetërore për të përmbush një mal përgjegjësish që burojnë nga traktate e konventa Evropiane e ndërkombëtare. Raporti i përvjetshëm i Komisionit Evropian, tregon angazhimin proaktiv të Kosovës, institucioneve të saj, në përmbushjen e përkushtimit në të gjitha sferat politike, ekonomike e sociale, të përcaktuar politikisht prej kohësh tashmë”, deklaron ai për Gazeta Blic.
Pula përmend dhe pjesëmarrjen e Kosovës në Bashkësia Politike Evropiane, që tregon se Kosova është e gatshme të jetë pjesë e forumeve ndërkombëtare.
“Pjesëmarrja e Kosovës në Bashkësia Politike Evropiane, tregon qartë që është e gatshme të jetë pjesë e forumeve ndërkombëtare për të qenë po ashtu pjesë e një platforme diskutimesh në nivel kontineti Evropian, meqë pjesëmarrës ishin gjitha shtetet anëtare të Unionit Evropian dhe shtetet jo anëtare, me përjashtim të federatës Ruse dhe Bjellorusisë. Por, kjo ngjarje u shënua e karakterit historik si grumbullim i 27 shteteve anëtare të UE-së me 17 shteteve jo anëtare të UE-së, duke krijuar mozaikun e Evropës kontinentale politike”.
Ndërsa, sipas tij, aplikimi për ‘statusin e vendit kandidat’ në BE tregon se Kosova është e përkushtuar për rrugën integruese në struktura euroatlantike.
“Aplikimi i Kosovës për ‘statusin e vendit kandidat’ pranë Unionit Evropian, është dëshmuar se politikisht është e përkushtuar për rrugën integruese në struktura Euro-Atlantike. Përkundër se ky proces do jetë i gjatë e i mundimshëm, shënon moment të rëndësishëm për qytetarët dhe Kosovën politike. E përtej të gjithave, aplikimi për ‘statusin e vendit kandidat’ pranë UE-së, tregon atë spirancën e rëndë rreth vlerave perëndimore të përbashkëta”, përfundon Shqiprim Pula./Gazeta Blic/


