Sporti

Ilir Daja: Në fillim nuk kam besuar për kualifikim në grupe, kemi bërë krenar Kosovën – ishin emocione të mëdha

08/26/2022 11:18
nga:L J

Në ditën e fundit të vitit 2021, Ilir Daja u prezantua tek Ballkani, duke e marrë timonin e skuadrës nga Suhareka.

Në fillim idetë e tij ishin të qarta, që të sjellë titullin kampion për herë të parë në histori në klubin e Ballkanit. E filloi mirë aventurën dhe pas pesë muajsh në krye të Ballkanit, Ilir Daja ia doli.

Me 4 maj, 2022, FC Ballkani e fitoi Superigën e Kosovës duke e sjellë për herë të parë trofeun më të rëndësishëm në futbollin vendor në qytetin e Suharekës.

Por a e mendoi Ilir Daja se do t’ia arrinte që me skuadrën e Ballkanit të kualifikohej në grupet e Conference League? Përgjigja e tij ishte e shkurtë dhe e prerë, aq sa e sinqertë: JO!

Dje, Ballkani ka shkruar historinë – duke u bërë skuadra e parë kosovare që merr pjesë në grupe të Conference League, pas fitores 1:0 (3:1) ndaj Shkupit.

Ilir Daja, trajneri shqiptar i Ballkanit ka theksuar se në fillim as që e mendoi që mund të kualifikohej në grupet e kompeticionit të Conference League me Ballkanin.

“Pasi erdha fillova të besoj për titullin – jo për grupet e Conference Leagues për të qenë i sinqertë. Në momentin që kam takuar një grup futbollistësh me qetësi, me personalitet dhe me karakter të jashtëzakonshëm – kemi punuar fortë, jo vetëm në mënyrë praktike, por edhe në mënyrë teorike (me video)”, tha fillimisht Ilir Daja për ‘GazetaBlic Sport’.

Tekniku 55 vjeçar nuk i mori meritat për vete, por tha se kjo arritje i dedikohet lojtarëve, presidentit të klubit dhe të gjithë trajnerëve të mëparshëm të lojtarëve që ai i posedon në ekip.

“Lojtarët asnjëherë nuk janë ankuar, mundi dhe gjithçka që kemi arritur i shkon atyre, i shkon presidentit të klubit, i shkon çdo trajneri që ka punuar me këta futbollistë që nga moshat e vogla, sepse përveç edukimit sportiv ka ndikuar edhe në një edukim me frymë grupi”, vazhdoi ai.

Në fund, Daja potencoi se gjasat dhe besimi për kualifikim në grupe filluan të mendoheshin nga ai pas fitores në Shkup.

“Pas kalimit të tureve filluam të besojmë – sigurisht pas asaj fitore në Shkup e ëndëronim që të kalonim më tej”.

Në fund, trajneri tha se nuk mund ti veçojë sukseset me Skenderbeun dhe Ballkanin, por tha se dyjat janë historike dhe emocione të paharrueshme për të.

“Është njësoj, normalisht që çdo kalim është historik. Tek Skenderbeu kam pasur emocione të jashtëzakonshme, sepse ka pasur një histori që vetëm ne dhe një ekip nga Izraeli kishim kaluar katër raunde për t’u kualifikuar në grupe. Edhe këtu për herë të parë merrte pjesë Ballkani – për herë të parë në grupe një ekip nga Kosova. Kemi dalë jashtë qytetit tonë dhe kemi përfaqësuar gjithçka mirë futbollin kosovar, duke bërë krenar Kosovën”, , përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport