Skuadra e Ballkanit ka marrë një fitore bindëse ndaj Larne FC në raundin e dytë kualifikues të kualifikimeve për Conference League.
Ballkani ka fituar ndaj Larne FC me rezultatin 3:0, me golat e Albion Rrahmanit, Almir Kryeziut dhe Nazmi Gripshit, shkruan GazetaBlic Sport.
Trajneri Ilir Daja theksoi se është i lumtur me fitoren e sotme.
“Larne është një ekip që ka karakteristika të veçanta. Kemi poseduar kogja mirë topin, kemi pasur ritmin e mirë deri në fundin e takimit, mos të harrojmë se ne sa jemi kthyer nga Bullgaria dhe kemi pasur veç katër ditë kohë m’u përgatit. Orari ishte i ngjeshur, do ta përsëris se kemi marrë lojtar kogja të mirë. Ndeshje të mirë luajti Kryeziu”, tha fillimisht Daja për SuperSport.
“Kemi luftuar të gjithë si grup dhe kemi bërë një hap të mirë në këtë ndeshje. Futbolli nuk është 90 minuta, por 180 minuta në kualifikime. Ne duhet të kapim akoma më shumë ritmin tonë më të mirë e të shohim më pas”, vazhdoi Daja.
“Gjithmonë ka më mirë, por rezultati 3-0 është i mirë. Janë ekip që pësojnë pak. U mbrojtën me 11 lojtarë, por na kënaq fakti që shënuam tre gola”, përfundoi Daja.
/GazetaBlic Sport


