Ballkani ka shënuar fitore ndaj Drenicës.
Skuadra e Ilir Dajës arriti fitore solide ndaj Drenicës me rezultat 2-0, shkruan GazetaBlic Sport.
Baftiu në minutën e 40’të dhe Dellova në minutën e 59’të shënuan për fitoren e vendasëve.
Pas ndeshjes për “Art Sport” u prononcua trajneri i Ballkanit, Ilir Daja i cili u shpreh i lumtur me performancën e lojtarëve të tij.
“Jam i kënaqur me djemtë në këtë ndeshje, pasi kishim kundërshtar që luan shumë mirë futboll, ishte e vështirë pasi luajtëm mbi 100 minuta në mesjavë me Prishtinën, ritmi i lojtarëve më befasoi të them të drejtën, merita iu takon lojtarëve që unë drejtoj, ekipi ka një mentalitet fituesi“, tha fillimisht Ilir Daja.
Daja u pyet edhe për garën për titull të cilën skuadra e tij po e kryeson aktualisht.
“Sigurisht që kjo fitore na duhej patjetër, shpresojmë që me këto dy javë që kemi në dispozicion të rikthehen edhe lojtarët e lënduar, jam i kënaqur me futbollistët, por e rëndësishme është vazhdimësia, pasi duke qenë në vend të parë të gjitha ekipet do e bëjnë natyrisht më të mirën kundër nesh“, përfundoi Daja.
/GazetaBlic Sport/


