Lajme

Humolli: Protesta e PSD-së e drejtë por do të duhej të ishte kundër Kuvendit të Kosovës nga i cili u formua Specialja!

11/29/2023 17:07
nga:Y I

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, së bashku me disa aktivistë të këtij subjekti politik protestuan kundër vizitës së Kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, në Kosovë.

Në protestë u hodhën tymuese ç’ka solli edhe arrestimin e gjashtë aktivistëve të këtij subjekti politik.

Në lidhje me mbajtjen e kësaj proteste ka folur për “Gazeta Blic”, deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës njëherësh ish-ushtar i UÇK-së, Fatmri Humolli.

Humolli tha se protesta është e drejtë por se e njëjta do të duhej të ishte kundër Kuvendit të Kosovës, nga i cili është formuar Gjykata Speciale.

“Protesta në radhë të parë është e drejtë sepse është një Gjykatë kundër interesit kombëtar dhe është bërë një gjykatë me presion prej fatorëve ndërkombëtarë”

“Njëjtë ka qenë presioni edhe në 89 me heq autonominë prej Kosovës dhe që ka shkaktu luftë më vonë ashtu është presioni që u bë për këtë Gjykatë kundër të drejtave të shqiptarëve. Prej Kuvendit të Kosovës u bë kjo Gjykatë dhe protesta duhet me qenë më shumë kundër Kuvendit të Kosovës sesa një kryetareje që ka marrë detyrat prej Kuvendit zyrtarisht. Edhe pse zyrtarisht është e tillë taktikisht është e shkëputur prej institucioneve tona” deklaroi Humolli për “Gazeta Blic”.

Partia Socialdemokrate përmes një komunikate për media ka kërkuar ‘urgjentisht’ të lirohen aktivistët e arrestuar.

“Në kundërshtim të Gjykatës Speciale, gjatë protstës së PSD janë arrestuar gjashtë aktivistë: Kryetari Dardan Molliqaj, Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Korab Korça, Agron Kabashi dhe Gent Ibrahimi. Kjo është përpjekje për disiplinim dhe përmirësim imazhi për gjykatën e padrejtë speiciale. Metodat frikësuese neve nuk na ndalin. Gjykata është raciste, e padrejtë dhe segreguese. Rezictenca vazhdon. Z. Trendafilova nuk është e mirëseardhur. Policia mund ta garantojë sigurinë fizike, por jo imazhin e një kryesuese të një procesi të padrejtë. Kërkojmë urgjentisht të lirohen aktivistët tonë!” thuhet në reagimin e PSD-së raporton Gazeta Blic.

/Gazeta Blic/

PSD njofton se janë arrestuar gjashtë aktivistë: Kërkojmë urgjentisht të lirohen, metodat frikësuese nuk na ndalin

Eskalon protesta e PSD-së e OVL-UÇK-së, Policia arreston Dardan Molliqajn e Nol Nushin