Lajme

Hiqet nga rendi i ditës pika për shkarkimin e Bordit të KPMM-së

02/02/2023 10:59
nga:Y I

Me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje, Kuvendi i Kosovës në seancën e së enjtes ka larguar nga rendi i ditës shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

Shkarkimin e këtij bordi e kishte kërkuar Komisioni për Ekonomi, Tregti dhe Industri, nën arsyetimin për shkelje të ligjit dhe mënyrën se si ka funksionuar ky bord deri tash.

Ky rekomandim i Komisionit pritet të shqyrtohet në një seancë tjetër.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se kjo po bëhet për shkaqe procedurale.

“Komisioni funksional e ka edhe një procedurë që duhet ta zbatojë në përputhje me rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës”, tha ajo.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, e ka akuzuar për korrupsion Qeverinë duke thënë se vetë e ka emëruar bordin që tash po kërkon ta shkarkojë.

“Kur keni ardhur në qeverisje keni thënë që do të ketë zero korrupsion. Tash një bord qe vetë e keni emëruar po dëshironi ta shkarkoni për korrupsion. Keni skandale të korrupsionit më shumë se secila qeveri e kaluar”.

Kurse, kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se veprimin lidhur me shqyrtimin për shkarkimin e bordit e sheh më shumë “si luftë kundër korrupsionit”.