Njësia Speciale Intervenuese dhe Sindikata e Policisë së Kosovë kanë protestuar sërish para Qeverisë ditën e shtunë.
Nga Sindikata e Policisë kanë shpalosur para Qeverisë 14 kërkesa.
Në lidhje me këto kërkesa dhe a janë thirrur nga Qeveria e Kosovës për takim, ka folur për “Gazeta Blic”, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.
“Deri tani nuk jemi thirrur nga Qeveria për të folur rreth kërkesave tona” pohoi Zeqiri.
I pyetur se a pritet të protestojnë sërish, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, Zeqiri pati këtë përgjigje.
“Ne kemi dërgu edhe kërkesë për me u taku, po shpresojmë dhe dëshirojmë që të takohemi dhe të bisedojmë me ta për me vazhdu me hapat e tjerë. Për hapat e tjerë do të njoftoheni edhe ju mediat në kohë” tha shkurt Zeqiri për “Gazeta Blic”

Imer Zeqiri, Kryetar i Sindikatës së Policisë
Njësia Speciale Intervenuese dhe Policia e Kosovës dolën ditën e shtunë me 14 kërkesa për Qeverinë e Kosovës.
Kërkesat ishin si të paraqitura më poshtë:
1. Përmirësimi i kushteve, veshmbathje, mjete të punës, objektet policore dhe pajisjet tjera;
2. Rrezikshmëria për policët të jetë permanente dhe të mos varet nga një vend, dhe shtesat të jenë 25 deri 50 përqind e pagës bazë dhe të formohet komisioni i cili do të bëjë kategorizimin e shtesave;
3. Përfshirje e njësive të caktuar në tregun e punës;
4. Ligji për pensionim në moshën 55 vjeçare;
5. Sigurimi jetësor dhe rritja në fondin shëndetësor;
6. Invaliditeti, policë të cilët janë lënduar gjatë kryerjes zyrtare;
7. Përfshirja e stafit civil në shtesat për punë specifike;
8. Shujta ditore për të gjithë pjesëtaret, jo në mënyrë selektive;
9. Pagesa e udhëtimit të atyre që udhëtojnë larg;
10. Shtesat për fundvit, për ata që kanë treguar performance të mirë gjatë vitit;
11. Rikthimi i përvojës së punës siç ka qenë, dhe njohja e shkollimit;
12. Të rikthehen tri paga përcjellëse për ata që pensionohen;
13. Të lejohet një pagë për policët që mund të kenë një rast vdekje në familje;
14. Përkujdesje për mirëqenien e pjesëtarëve të policëve, për ata që kanë rënë gjatë detyrës zyrtare;
“Gazeta Blic” ka kontaktuar ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, për ta pyetur nëse do t’i presë në takim përfaqësuesit e NJSI dhe Sindikatës së Policisë, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në thirrjen tonë.
/Gazeta Blic/
NjSI dhe Sindikata e Policisë dalin me 14 kërkesa për Qeverinë


