Lajme

Haziri: Një vit i humbur në negociatat Kosovë-Serbi, e shuan shpresën për të arritur shpejt një objektiv

03/19/2024 11:59
nga:G B

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se do të vazhdojë presionin ndaj Kosovës e Serbisë për zbatim të marrëveshjes së Ohrit, derisa ka shprehur zhgënjimin për mos zbatim të saj.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se është një vit i humbur në negociata.

“Një vit nga marrëveshja e Brukselit, e cila është pasuar nga marrëveshja protokolli e Ohrit në muajin mars, vit i humbur në negociata përkundër që kjo marrëveshje kornizë e modelit franko-gjerman e detyroi kryeministrin Kurti që të bëjë lëvizje të dëmshme dhe të këqija, edhe sa i përket uljes së qëllimit nga një marrëveshje obligativisht ligjore në një marrëveshje të përkohshme”, thotë ai.

Haziri vlerëson se kushtëzimi nga ndërmjetësuesi ka qenë i papranueshëm deri tani, duke shtuar se krejt ky vit i humbur e shuan shpresën që mund të arrihet shpejt një objektiv.

“Përveç kësaj, kushtëzimi deri tani ka qenë i papranueshëm nga ndërmjetësi dhe pala garantuese. E krejt përmbledhja e një viti të humbur në negociata, e shuan shpresën që të arrihet një objektiv shumë shpejt, tani që po kalojnë në procese zgjedhore edhe institucionet e BE-së dhe zgjedhjet në SHBA në nëntor dhe natyrisht kjo është një situatë kthimi prapa në këtë raport Kosovë-Serbi dhe i jep shanse serbëve që të vazhdojnë politikën ruse përmes njerëzve të saj, vendbanimeve dhe infrastrukturës që e kanë në këtë regjion të Ballkanit, që po cilësohet si kriza e dytë eventuale që po paralajmërohet në regjionin tonë”, deklaron nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri./Gazeta Blic/

Qeveria i reagon Borrellit: Kosova pesë herë ofroi gatishmëri për nënshkrim të marrëveshjes, Serbia refuzoi

Pantina: Me Kurtin në Qeveri s’ka dalje nga qorrsokaku ku na ka futur – moszbatimi i marrëveshjes na kushton