Sporti

Hazard: Nuk më mungon futbolli, unë nuk luaj për para

10/31/2023 15:01
nga:Mergim Rreci

Ish-sulmuesi i Real Madrid që u tërhoq së fundmi nga futbolli, Eden Harzard ishte i pranishëm në ceremoninë e “Topit të Artë”, që u fitua nga Lionel Messi, me argjentinasin që siguroi për herë të tetë në karrierë këtë trofe.

Duke folur nga ceremonia, Hazard theksoi se tashmë jeta e tij është perfekte, ndërsa shtoi se tani ka më shumë kohë në dispozicion për familjen e tij.

“Tani është perfekte. Më pëlqen, pasi kaloj më shumë kohë me familjen dhe në veçanti me fëmijët. Mund të bëj çfarë të dua është një jetë perfekte. Jam në paqe me veten dhe ndjehem lumtur sepse kam shumë gjëra jashtë futbollit që mund të bëj”-tha belgu.

Më tej i pyetur nëse i mungon të luajturit futboll, Hazard u shpreh se nuk e ndjen aspak mungesën.

“Vazhdoj ta shikoj futbollin në TV kur të mundem, por bëj edhe gjëra të tjera dhe nuk më mungon të luaj futboll. Gjithmonë kam thënë se do të ndaloja së luajturi sapo të kuptoja se nuk po mundesha të argëtohesha më në fushë. Nuk doja të shkoja askund tjetër për para. Ishte zgjidhja më e mirë. Nuk më pëlqenin më stërvitjet… Dhe nuk luaja më”-deklaroi ndër të tjera Eden Hazard.