Lajme

Haradinaj vendos kurora lulesh te lapidari i dëshmorit Bedri Berisha

05/25/2022 16:02
nga:G B

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka vendosur kurora lulesh te lapidari i Dëshmorit Bedri Berisha, në Volljakë të Klinës, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se ka biseduar me prindërit e tij, derisa ka shtuar se gjithmonë duhet të jemi të përulur para veprës madhore të të rënëve për liri.

Postimi i tij i plotë:

Në prag të përvjetorit të rënies së Dëshmorit Bedri Berisha, në Volljakë të Klinës kam vendosur kurora lulesh te lapidari si dhe kam vizituar familjen e tij.

Bashkëbiseduam me babain Bajramin dhe nënën Shahe, në një ambient të ngrohtë familjar.

Bedriu ishte student i Juridikut dhe ra heroikisht në Betejën e Mileskës me 28 maj 1999, si pjesëtar i Brigadës 124 “Gani Paçarizi”, së bashku me bashkëluftëtarët Habib Gashi, Ismail Gashi, Mensur Zyberaj dhe Kurtish Hasani.

Vetëm tri ditë pas rënies së Bedriut, kjo familje atdhetare, i fali lirisë së Kosovës edhe djalin e axhës së Bedriut, Shpendin, i cili ra heroikisht në Gurrazhub, në kuadër të Operacionit Shigjeta.

Gjithmonë të përulur para veprës madhore të të rënëve për liri.