Lajme

Haradinaj sfidon VV-në: Albin Kurti të dalë të përballet në debat me Ardian Gjinin

09/09/2026 22:32
nga:L J

Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ka folur mbi strategjinë e kryeministrit Albin Kurti ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ka sfiduar kreun e qeverisë për një përballje publike televizive.

Haradinaj fillimisht sqaroi se veprimet e fundit politike dëshmojnë se ajo çfarë kryeministri Albin Kurti i bëri LDK-së ishte një pabesi e llogaritur, e cila kishte për qëllim krijimin e përçarjeve brenda spektrit politik, si pjesë e skenarit të tij.

“Ajo që ia bëri LDK-së është pabesi, ju krijoi përçarje. Është skenar i Kurtit.”

Në këtë situatë, Haradinaj tha se nëse do takim me Aleancën, atëherë, siç ka propozuar edhe kreu i Aleancës, kjo duhet të bëhet duke u organizuar një debat i drejtpërdrejtë dhe ballafaqim mediatik në mes të Kryetarit Gjini dhe kryeministrit Albin Kurti.

“Nuk do të ishte keq që të ndodhte një përballje televizive mes z. Gjini dhe z. Kurtit.”

Më tej, ai analizoi modelin e qeverisjes së Kurtit, duke vënë në dukje se ai nuk erdhi në pushtet përmes ndonjë programi bindës, por si një zë kundërshtues i pozicioneve të kaluara. Sipas tij, kryeministri nuk është fokusuar në krijimin e një plani qeverisës, por vetëm në konsolidimin e pushtetit të tij, duke paralajmëruar se fundi i tij
politik do të jetë i njëjtë me mënyrën se si nisi:

“Ky nuk ka ardhur në qeverisje përmes ndonjë oferte shumë bindëse, po si kundërshtues i pozitës. Që nga ardhja në qeverisje, ky s’e ka lodhur trurin me krijuar një plan qeverisës, është i fokusuar në konsolidim të pushtetit. Edhe shkuarjen do ta ketë siç erdhi, prej rruge ka me shkuar.”