Lajme

Haradinaj: Luftërat në Ballkan janë kapitull i mbyllur, Serbia të heq dorë nga veprimet destabilizuese e luftënxitëse dhe ta pranojë Kosovën të pavarur

12/11/2022 16:30
nga:G B

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar për sulmet e grupeve kriminale serbe ndaj Policisë dhe Eulex-it, derisa ka thënë se ato janë goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Beogradi duhet të heqë dorë nga veprimet destabilizuese e luftënxitëse me pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë.

Ai ka thënë se sot është momenti i fundit që regjimi në Beograd t’i thërrasë arsyes dhe ta pranojë realitetin e Kosovës së pavarur dhe sovrane dhe këtë ta pranojë edhe në tavolinën e bisedimeve!

Postimi i tij i plotë:

Sulmet e grupeve kriminale ndaj Eulex-it dhe Policisë së Kosovës në veri, janë goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon! Beogradi duhet që urgjentisht të heqë dorë nga veprimet e veta destabilizuese e luftënxitëse me pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë. Është investuar shumë për paqen dhe askush nuk do të lejohet ta rrezikojë atë.

Sot, është momenti i fundit që regjimi në Beograd t’i thërrasë arsyes dhe ta pranojë realitetin e Kosovës së pavarur dhe sovrane dhe këtë ta pranojë edhe në tavolinën e bisedimeve!

Luftërat në Ballkan janë kapitull i mbyllur!