Lajme

Hapja e bizneseve të reja në pandemi, luftë për mbijetesë

04/19/2021 18:29
nga:V R

Në vitin e fundit në Kosovë, gjatë pandemisë, janë hapur rreth 12,000 biznese të reja. Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARB), gjatë periudhës mars 2020 –mars 2021, janë hapur më shumë se 11,500 biznese, 1,500 më shumë se në vitin 2019, kur në Kosovë nuk ka pasur pandemi të koronavirusit.

Sektorët me numrin më të madh të bizneseve të regjistruara janë tregtia me shumicë dhe pakicë dhe riparim i mjeteve motorike dhe motoçikletave.

Numri i biznese të shuara është rreth 1,505.

Por, Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thekson se numri i bizneseve të shuara është 20,000, por që personat nuk kanë përfunduar procedurat ligjore për shuarje.

Ai thotë se arsye e trendit të rritjes së hapjes së bizneseve në periudhën e pandemisë, është numri i madh i qytetarëve që kanë humbur vendet e punës. Dhe në mungesë të ndihmës nga institucionet e shtetit, qytetarët e mbetur pa punë, në disa raste, si alternativë kanë gjetur hapjen e ndonjë biznesi të vogël tregtar.

“Sepse mesatarisht në Kosovë brenda një viti mbyllen 2,000 biznese dhe hapen 8,000 biznese. Trendi i hapjes së bizneseve të reja gjatë kësaj periudhe është një fenomen që rrallë ndodh në Kosovë”, tha Shahini për Radion Evropa e Lirë.

Anita Korça, nënë e dy fëmijëve, në shtator të vitit të kaluar ka hapur një dyqan rrobash në Prishtinë. Për shkak të pandemisë, tregon se punon e vetme në lokal deri sa të përmirësohet situata në vend, rrjedhimisht të ndodhë edhe përmirësimi i qarkullimit ditor. Ajo përmend edhe sfidat të tjera që i ka shkaktuar pandemia në biznesin e sapohapur.

“Është vështirë sepse ne ende lirshëm nuk mund t’i ftojmë klientët të vijnë në lokal, pasi në shumtën e kohës punojmë përmes rrjeteve sociale, shitje online. Ne kemi marrë të gjitha masat mbrojtëse, por ende ekziston një dozë e frikës për të ftuar klientët”, thekson Korça për Radion Evropa e Lirë.

Ramosaj: Një fenomen i tillë ka ndodhur edhe para tri dekadash

Faktori kryesor për hapjen e bizneseve të reja, në kohë pandemie, në të shumtën e rasteve është lufta për mbijetesë, thotë për Radion Evropa e Lirë, profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj.

“Ky mjedis i pandemisë ka rrezikuar ekzistencën e mirëqenies familjare, por edhe kolektive dhe njerëzit kërkojnë zgjidhje alternative. Zgjidhja është hyrja në biznese edhe në fushat që ndoshta nuk kanë shumë njohuri. Por, me një mobilizim financiar, qoftë individual apo familjar, mundohen të gjejnë zgjidhje të duhura”, tha ai.

Mijëra biznese të hapura në kohë pandemie

Sipas Ramosajt, fenomeni i hapjeve të bizneseve të vogla, në Kosovë ka ndodhur edhe para tri dekadash.

“Ky fenomen është vërejtur edhe në vitet 1990, kur shqiptarët janë larguar nga puna nga regjimi i atëhershëm i Serbisë sepse në mesin e faktorëve kyçë, nuk mjafton vetëm mentaliteti sipërmarrës i individit për të filluar një biznes, por shumë herë ky mentalitet është i ndikuar edhe nga mjedisi. Në fakt, ai mjedis mund të reflektojë në mënyra të ndryshme, siç është rasti i tanishëm me pandeminë”, shprehet ai.

Në vitin 1989, në Kuvendin e Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, u ndryshua Kushtetuta e vitit 1974, me çka u suprimua autonomia e Kosovës në Federatën Jugosllave, duke e lënë Kosovën si një pjesë përbërëse të Serbisë. Gjatë kësaj periudhe, shumica e punëtorëve shqiptarë u larguan me dhunë nga vendet e tyre të punës nga regjimi i atëhershëm i Serbisë.

Korça: Për mbijetesë nevojitet ndihmë nga qeveria

Anita Korça thotë se për mbijetesën e bizneseve të hapura në periudhën e pandemisë, nevojitet ndonjë subvencionim nga institucionet e Kosovës.

“Sepse sa realizojmë qarkullim nuk mund të mbulojmë as shpenzimet për lokal dhe mirëmbajtje. Mos të kisha familjen që të më ndihmojë financiarisht, thjesht një infuzion t’i japë, thjesht gjendja është alarmante”, thekson ajo.

Respektimi i distancës fizike në një lokal në Prishtinë, si masë mbrojtëse nga përhapja e koronavirusit.

Sa mund të mbijetojnë në treg bizneset e hapura në pandemi?

Bizneset e hapura në kohë pandemie, nëse nuk sigurojnë mbështetje nga institucionet, e kanë të vështirë qëndrueshmërinë karshi konkurrencës dhe krizës me pandemi, thotë Agim Shahini.

“Bizneset e regjistruara do të tentojnë të mbijetojnë, por disa mund të përfundojnë ashtu siç kanë përfunduar shumë biznese të tjera, nëse nuk i përkrah shteti dhe nëse nuk krijohet një klimë më e favorshme për kredi në bankat komerciale dhe fonde për investime të ndryshme”, tha ai.

Anita Korça tregon se ka aplikuar në një nga thirrjet për subvencionim të bizneseve nga Qeveria e Kosovës, por thotë se nuk ka përfituar ndonjë ndihmë materiale, pasi siç thotë, “fondet kanë qenë të dedikuara për bizneset që kanë qenë të hapura para pandemisë”.

Për të ndihmuar bizneset që kanë pësuar humbje nga pandemia, Qeveria e Kosovës ka ndarë 222 milionë euro në kuadër të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike. Por, deri më tani për sektorin privat janë shpërndarë vetëm 22 milionë euro.