Lajme

Hamza vizitë në ShBA, takim me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë dhe DASh-it- Diskutuam për zhvillimet politike dhe ekonomike në Kosovë!

11/28/2025 18:48
nga:Y I

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka zhvilluar një vizitë në Washington ku është takuar me zyrtarë të lartë amerikanë, mes tyre Charles McLaughlin, Ndihmës Special i Presidentit Donald Trump, si dhe Mark Fleming nga Departamenti i Shtetit.

Hamza bëri të ditur se në takim u diskutua për zhvillimet politike e ekonomik të vendit, si dhe në domosdoshmërinë që institucionet e Kosovës ta kenë prioritet forcimin e raporteve strategjike me SHBA-në.

Ai theksoi se për PDK-në interesi shtetëror mbetet mbi çdo gjë, duke përfshirë rritjen ekonomike, investimet strategjike dhe riparimin e plotë të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.

“I sigurova zyrtarët amerikanë se për mua dhe PDK-në, interesi shtetëror është mbi çdo gjë: përqendrim në rritje ekonomike, investime strategjike dhe riparim të plotë të marrëdhënieve me partnerët tanë ndërkombëtarë.Kosova është e bekuar me mbështetjen e popullit dhe qeverisë amerikane. Kjo mbështetje mbetet jetike në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, shkruan Hamza raporton “Gazeta Blic”

Postimi i plotë:

Në funksion të ruajtjes dhe thellimit të bashkëpunimit me Shtëpinë e Bardhë dhe qeverinë amerikane, sot në Washington zhvillova një takim me Charles McLaughlin, Ndihmës Special i Presidentit Donald Trump dhe Drejtor i Lartë për Evropën dhe Rusinë në Shtëpinë e Bardhë, pranë Këshillit të Sigurisë Kombëtare, si dhe me Mark Fleming, Drejtor i Zyrës për Çështjet e Evropës Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit.

Diskutuam për zhvillimet politike dhe ekonomike, si dhe për nevojën që institucionet e Kosovës të fokusohen në forcimin e marrëdhënieve strategjike me SHBA-në dhe në një agjendë të qartë zhvillimi.

I sigurova zyrtarët amerikanë se për mua dhe PDK-në, interesi shtetëror është mbi çdo gjë: përqendrim në rritje ekonomike, investime strategjike dhe riparim të plotë të marrëdhënieve me partnerët tanë ndërkombëtarë.

Kosova është e bekuar me mbështetjen e popullit dhe qeverisë amerikane. Kjo mbështetje mbetet jetike në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.